​Zjarr në një objekt banesor në Dardani, nuk ka të lënduar

Kronikë e zezë

​Zjarr në një objekt banesor në Dardani, nuk ka të lënduar

Më: 4 maj 2016 Në ora: 20:27

Një objekt banesor në lagjen Dardania të kryeqytetit është përfshirë nga zjarri para pak çastesh.

Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se nuk ka persona të lënduar, por janë shkaktuar disa dëme materiale.

Hoxha përmes telefonit tha për KosovaPress se reagimi i Policisë ka qenë i shpejtë, prandaj nuk ka pasur nevojë që banorët të evakuohen.

Shkaktar i zjarrit, sipas tij ka qenë djegia e disa njehsorëve të rrymës.

“Policia e Kosovës, Shërbimi i zjarrfikësve dhe punëtorë të Keds–it kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndalur zjarrin me kohë. Ndërsa, për shkaqe të sigurisë është ndalur edhe rryma”, ka thënë Hoxha përmes telefonit për KosovaPress.

Ai pohoi se kanë filluar procedurat për verifikimin e shkaqeve që kanë shkaktuar zjarrin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat