Vrasja e Elton Çiços, dyshime se jepte para me fajde

Kronikë e zezë

Vrasja e Elton Çiços, dyshime se jepte para me fajde

Më: 4 maj 2016 Në ora: 08:01

Elton Çiço, që mbeti viktimë mbrëmjen e së dielës në lokal “De Niro” në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”, jepte para me fajde. Ky fakt bëhet me dije pranë hetuesve të çështjes. Sipas tyre, kjo është edhe pista e hetimit që tashmë i është shtuar motivit të ekzekutimit të 36-vjeçarit. Ky i fundit ndodhej i ulur brenda në lokal, së bashku me tre persona të tjerë, një efektiv policie, një gazetar dhe një dentist. Ai u ekzekutua me dy plumba në kokë nga një person ende i paidentifikuar nga policia.

Nga pamjet filmike vërehet se agresori kishte vendosur në kokë një kapele me strehë, fakt ky që e bën edhe më të vështirë identifikimin e tij. Ndërkohë, burimet e sipërpërmendura sqaruan se viktima, paratë me fajde i jepte kryesisht te biznesmenët si dhe te persona të tjerë të veshur me pushtet, shkruan “Gazeta Shqiptare”. Elton Çiço ishte djali i Naim dhe Andoneta Çiços, të cilët u grabitën me dhunë në banesën e tyre në Tepelenë nga tre persona.

vrasja e eltonit pa logoNë atë kohë, policia lokale tha se shuma e grabitur ishte 5000 euro, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit S.J., dhe A.J., banues në Durrës, si dhe Robert Rama, banues në Tiranë. Ky i fundit u vra nga dy persona ende të paidentifikuar në zonën e ish-Kënetës në Durrës, vetëm pak muaj pas grabitjes së ndodhur në Tepelenë. Sipas policisë, u raportua se në një makinë të braktisur vetëm pak metra larg banesës së dëmtuar u gjet një makinë e braktisur, dhe brenda saj çanta me dokumentet e Ramës.

Me anë të një njoftimi zyrtar, nga ana e policisë së kryeqytetit u bë me dije se në lidhje me vrasjen e 36-vjeçarit është vënë në pranga Redjan Rraja, dentisti i cili ishte i ulur në lokal me viktimën. Ky i fundit akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. “Shtetasi Elton Çiço ka qenë në shoqërinë e shtetasve A.T., S.K. dhe shtetasit Redjan Rraja, 31 vjeç, banues në Krujë, i cili u arrestua për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës'”, tha zyrtarisht policia.

Ky fakt u pohua edhe në emisionin “Opinion” nga zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muça, i cili tha se janë shoqëruar në polici 29 persona për ngjarjen, ndërsa lajmi i bujshëm është se është arrestuar edhe një person për prishje të vendit të ngjarjes.

Sipas zyrtarit të policisë, i arrestuari është një nga personat që ka qenë i ulur në tavolinën ku ishte i ulur edhe Elton Çiço. “Janë bërë disa veprime nga ana e këtij personi që kanë lëvizur gjëra në vendin e ngjarjes me dashje dhe kanë marrë bashkë me prokurorin një vendim për ta ndalur. Mund të jetë edhe vrasës me pagesë, dhe jemi në rrugë goxha të drejtë”, tha Muça. Ndërkohë, policia po vijon ende hetimet në lidhje me këtë vrasje. Dy pistat e tjera të hetimit vijojnë të mbeten, ajo e hasmërisë dhe ajo e prishjeve të pazareve të drogës, pasi Çiço ishte i skeduar për lëndë narkotike në Francë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat