I dhunuari në mes të Sukthit ndiqet penalisht për ndërtim pa leje

Kronikë e zezë

I dhunuari në mes të Sukthit ndiqet penalisht për ndërtim pa leje

Më: 28 prill 2016 Në ora: 07:49

Nuk ka përfunduar odiseja e biznesmenit të bojës, Osman Pana, i cili një ditë më parë u godit në mes të Sukthit nga persona të paidentifikuar. Pasi ka provuar goditjen e shkopinjve dhe i ka rënë të fikët në mes të rrugës,ndaj këtij shtetasi ka nisur procedimi penal për ndërtim pa leje. Sipas burimeve të besueshme nga policia e Durrësit, procedimi penal ka nisur për faktin se ky shtetas ka hapur një dritare pa leje, në krahun e banesës së komshiut të tij.

Ndërkohë të kontaktuar nga “Shekulli”,vëllezërit e Osman Panës kanë deklaruar se nuk kanë asnjë ndërtim pa leje dhe se nuk ka asnjë arsye që ndaj vëllait të tyre të nisë një procedim penal. Ndërkohë burime nga Drejtoria e policisë së Qarkut të Durrësit, pasi kanë konfirmuar se materialet për procedim penal për ndërtim pa leje i janë nisur ditën e mërkurë, Prokurorisë së Durrësit, kanë bërë të ditur se po punohet për kapjen e autorëve të plagosjes së biznesmenit Osman Pana.

Sipas policisë, janë dy autorë të dyshuar në këtë ngjarje, A.M 42 vjeç banues në Sukth dhe B. B, 40 vjeç banues në Sukth. Sipas versionit të policisë shkak për ngjarjen dyshohet se ka qenë një konflikt që shtetasi Osman Pana ka pasur me fqinjin e tij shtetasin Xh.N, për një dritare të hapur në krah të këtij të fundit. Po sipas policisë, autorët e dyshuar kanë lidhje shoqërore me komshiun e tij.

Ndërkohë, një ditë me pas policia e Durrësit i ka çuar dosjen për procedim penal biznesmenit të bojës për ndërtim pa leje. Në lidhje me këtë ngjarje, reagoi dhe Partia Demokratike, e cila e konsideroi sulm për gjobëvënie ndaj biznesmenit. Ndërkohë ky i fundit deklaroi më pas se nuk i kishte kërkuar njeri para dhe se nuk i njihte autorët e krimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat