Dhunuan, përdhunuan dhe grabitën çiftin, 22 vite burg dy autorëve

Kronikë e zezë

Dhunuan, përdhunuan dhe grabitën çiftin, 22 vite burg dy autorëve

Më: 28 prill 2016 Në ora: 07:49

Gjykata e Fierit ka dënuar me një dënim në total 33 vjet burg tre persona, të akuzuar nga prokuroria se kanë vjedhur dhe dhunuar nën kërcënimin e armëve një çift, si edhe kanë ushtruar dhunë seksuale mbi anëtaren femër të çiftit. Ngjarja për të cilën ata kanë marrë vendimin e dënimit ka ndodhur në datë 20 tetor 2014 në pyllin e Semanit. Vendimi i gjykatës është dhënë pak ditë më parë kur i pandehuri Endri Goga është dënuar me 24 vjet burg, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Shaban Skeja, me 9 vite burg dhe Odise Nushi është dënuar me gjashtë muaj burg. Procesi ndaj tyre është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe për këtë arsye ata kanë përfituar uljen me 1/3 e dënimit. Përfundimisht Endri Goga është dënuar me 16 vite burg, Shaban Skeja me gjashtë vjet burg dhe Odise Nushi me 4 muaj burg. Vendimi është dhënë nga një treshe gjyqtarësh nga kolegji penal i gjykatës së Shkallës së Parë, Fier, i përbërë nga kryesues Adelina Zarka, dhe anëtarë Roland Jaupaj e Piro Sota.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në datën 20 tetor 2014, çifti V.M dhe E.A. kishin dalë për shëtitje në zonën e plazhit të Semanit. Në një moment intim ndërmjet tyre, pranë makinës ku gjendej çifti janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë ushtruar dhunë, me qëllim marrjen e portofolëve dhe sendeve me vlerë që kishin në posedim. Në dinamikë të ngjarjes, i pandehuri Skeja ka nxjerrë nga makina shtetasin V.M., duke e shtrirë në tokë nën kërcënimin e armës, ndërkohë që i pandehuri Goga ka ushtruar kontroll për sende me vlerë në automjetin e çiftit, ku gjendej edhe e dëmtuara E.A . Të rinjtë e dëmtuar dhe dhunuar fizikisht janë lidhur më pas në një pemë. Pas ikjes së autorëve, ata kanë arritur të çlirohen nga trungu i pemës dhe të mbuluar me sende të rastit kanë shkuar në postën e policisë kufitare që ndodhej në afërsi të bregdetit. Atje ata kanë treguar ngjarjen, ndërsa oficerë të policisë gjyqësore kanë marrë prej tyre denoncimin, detaje dhe fakte lidhur me ngjarjen.

Rrëfimi

Sipas denoncimit dhe deklarimeve të dy të dëmtuarve, ata janë nisur nga Fieri rreth orës 14:00 të datës 20 tetor për në bregdetin e Semanit. Në vijim të deklaratave, që përputhen me njëra tjetrën, kanë parkuar makinën në brendësi të pyllit me pisha. Kanë vijuar të jenë bashkë në çaste intime ku rreth orës 15:00 afër tyre janë gjendur dy persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri. Dy agresorët i kanë qëlluar dhe i kanë kanosur me jetë. Më pas u kanë lidhur duart dhe kanë ushtruar dhunë. I kanë lidhur në një pemë, duke iu marrë rrobat, celularët, paratë dhe gjithë sendet personale që kishin me vete. Policia fierake nisi hetimet në disa pista përfshirë edhe hakmarrjen ndaj të dëmtuarve. Ndërsa qelizat e aparatit telefonik të marrë nga autori zbuluan edhe identitetin e tyre. Hetuesit nëpërmjet hetimeve special dhe me ndihmën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuluan vendndodhjen e aparatit telefonik që i përkiste vajzës. Kjo i çoi ata tek autorët e dyshuar nëpërmjet urdhër-arrestit policia vuri në pranga shtetasit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat