Grabitja te Sheratoni, policia: Autorët nuk kishin armë dhe maska

Kronikë e zezë

Grabitja te Sheratoni, policia: Autorët nuk kishin armë dhe maska

Më: 27 prill 2016 Në ora: 11:13

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Tiranës bëri një sqarim për ngjarjen e shënuar një ditë më parë pranë hotel Sheratonit, ku u grabit punonjësi i një firme të këmbimit valutor, të cilit dyshohet se iu morën 180 mijë dollarë.

Policia thotë se personat që e kanë grabitur nuk kishin maska, madje as ishin të armatosur.

“Më datë 26.04.2016 rreth orës 16:00, në rrugën “Dervish Hima”, tek ambientet e jashtme të një biznesi lokal, ka ndodhur një grabitje me dhunë, ku është marrë një shumë e konsiderueshme vlere monetare.

Nga hetimet paraprake dhe kqyrjes së kamerave në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se shtetasve S. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë arkëtar i një firme këmbimi valutor, B. Xh., 55 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën e shoqëruesit të vlerave monetare të kësaj pike këmbimi valuator, në momentin që kanë dalë nga një bankë e nivelit të dytë, u janë afruar dy persona pa maska dhe pa armë, ku njëri nga dy autorët e kësaj ngjarje i ka marrë çantën me shumën monetare shtetasit S. H., ndërkohë bashkëpuntori ka goditur me shkelm shoqëruesin, shtetasin B. Xh dhe janë larguar me vrap drejt motorrit që e kishin lënë vetëm pak metra më larg.

Grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësis së autorëve të kësaj vepre penale.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 139/25 i Kodit Penal,” sqaron policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat