Detajet: Si u grabit kambisti te oborri i Sheratonit

Kronikë e zezë

Detajet: Si u grabit kambisti te oborri i Sheratonit

Më: 27 prill 2016 Në ora: 09:27

Ngjarja ndodhi në hyrje të oborrit të hotel Sheratonit në Tiranë. Punonjësi i një Exchange është sulmuar në momentin që po hipte në automjet. Dy autorët largohen me motor. Policia sekuestron kamerat e sigurisë. Dyshohet se autorët kishin dijeni për lëvizjen e shumave të mëdha.

Sapo tërhoqi nga banka 180 mijë dollarë dhe ende pa i futur në automjet, një person i armatosur ia grabit dhe më pas largohet me shpejtësi.

Ngjarja nuk ndodhi në ndonjë rrugicë në periferitë e kryeqytetit, por në oborrin e hotelit më të njohur, pranë “Sheratonit”.

Sipas policisë së Tiranës, ngjarja ndodhi rreth orës 16:10 minuta në rrugën “Dervish Hima” në dalje të hotel Sheraton në Tiranë.

Dyshohet se kanë qenë dy autorë, njëri rrëmbeu paratë nën kërcënimin e një pistolete, ndërsa tjetri qëndronte me motorin ndezur, pak metra më larg, duke u larguar më pas me shpejtësi.

Gjithçka ka qenë e mirorganizuar dhe pre e grabitjes së dhunshme me armë mbeti shtetasi me inicialet S. H., që është punonjës i një kompanie Exchange në kryeqytet, me pronar shtetasin me inicialet R. M.

Sapo punonjësi tërhoqi shumën e parave, një koleg i tij e priste në një automjet të parkuar në hyrje të oborrit të hotelit, por në ato momente një nga grabitësit është afruar dhe nën kërcënimin e pistoletës mundi t’i rrëmbente shumën e konsideruar të parave.

“Shtetasit S. H., i është marrë një shumë monetare e konsiderueshme, nën ushtrimin e dhunës. Shumë të cilën sapo e kishte tërhequr nga filiali i një banke të nivelit të dytë. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor po punon për zbardhjen e mekanizmit dhe identifikimin e autorëve” -sqaron zyrtarisht policia.

Në informacionin e saj të shkurtër, specialistët e policisë tregohen të rezervuar në lidhje me ngjarjen për shkak të sekretit hetimor.

Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë pasur dijeni në lidhje me lëvizjen e shumës së madhe të parave.

Për këtë qëllim po hetohet si punonjësit e kompanisë që u grabitën, ashtu edhe ata të bankës së nivelit të dytë, që kryen veprimet për kalimin e shumave.

Aktualisht policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së hotelit dhe të disa bizneseve pas stadiumit “Qemal Stafa”.

Në një nga kamerat dallohet një person që nuk është i maskuar, por ka bërë kujdes që të mbante kokën të ulur që të mos pikaset nga kamerat.

Për shkak të mungesës së një maske klasike, pasi do të binte në sy dhe mund të zbuloheshin, dyshohet se autorët janë maskuar me paruke që të mos identifikohen.

Nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, mësohet se motori është larguar pas stadiumit dhe mund të ketë marrë drejtimin për nga kodrat e Liqenit Artificial ose në Rrugën e Elbasanit.

Kjo është një tjetër ngjarje e rëndë, ku persona të armatosur dhe maskuar kryejnë grabitje të shumave të mëdha.

Pre e grabitjeve kanë rënë kryesisht automjetet e blinduara që transportojnë para për llogari të bankave të nivelit të dytë.

Gjithashtu, edhe kambistët nuk kanë qenë të qetë, po zakonisht grabitjet e tyre ndodhnin nëpër rrugica, apo sapo dilnin nga banesa.

Grabitja e djeshme ka ndodhur në një zonë të populluar dhe një vend ku pak mendohej se mund të bëhej arenë e një rrëmbimi të dhunshëm nën kërcënimin e armës.

Nga ana e saj, policia po kryen veprimet e para hetimore dhe pritet sekuestrimi i kamerave të sigurisë së hotelit, nga ekspertet kriminalistë të Komisariatit numër 1 në Tiranë, për të zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes, si dhe zbulimin e autorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat