Biznesmeni Osman Pana: Më sulmuan me shkopinj e më lanë pa ndjenja, kamerat kanë regjistruar gjithçka

Kronikë e zezë

Biznesmeni Osman Pana: Më sulmuan me shkopinj e më lanë pa ndjenja, kamerat kanë regjistruar gjithçka

Më: 27 prill 2016 Në ora: 09:22

Biznesmeni Osman Pana, u sulmua mëngjesin e djeshëm nga dy persona, të cilët janë shpallur në kërkim.
Ngjarja ku mbeti i plagosur i riu 33 vjeçar ka ndodhur teksa ai po hapte derën e magazinës me materiale ndërtimi në pronësi të tij. Si pasojë e goditjeve të marra 33-vjeçari ka përfunduar në spitalin e qytetit bregdetar, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas sinjalizimit për plagosjen e biznesmenit, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Nga kryerja e veprimeve hetimore paraprake është bërë e mundur identifikimi i dy autorëve të krimit, të cilët janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin A.M. dhe 40-vjeçarin B.B., banues po në Sukth, të cilët janë shpallur në kërkim. Ndërkohë, hetuesit e çështjes kanë zbardhur dhe motivin e kësaj ngjarjeje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut të Durrësit bënë me dije se Osman Pana është rrahur nga shokët e fqinjit të tij.

Në lidhje me këtë ngjarje reagoi dje ashpër Partia Demokratike. Kreu i Departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj deklaroi se biznesmeni Osman Pana është dhunuar nga një bandë e armatosur dhe se ngjarja ka ndodhur pas gjobës që banda i kishte vënë atij.

“Sapo kisha mbërritur te magazina ime dhe po e hapja, kur pesë ose gjashtë persona më sulmuan nga mbrapa. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit. Personat që më sulmuan, më goditën në kokë dhe në trup. Gjithçka ndodhi papritur. Nuk e di se cilët ishin agresorët. Ata ishin shumë, ndërsa unë isha i vetëm. Nuk mbaj mend shumë, pasi më lanë pa ndjenja”, ka thënë ai për “Gazeta Shqiptare”. Teksa kërkon drejtësi dhe zbardhje të ngjarjes, biznesmeni bën me dije se nuk ka asnjë konflikt përveç fqinjit. “Ngjarja është e filmuar, sepse të dy komshinjtë e mi te magazina kanë kamera sigurie. Nuk më ka vënë njeri gjobë. As nuk më kanë kërkuar para. Unë nuk kam konflikte me askënd, përveçse me një komshi timin për shkak të dritareve. Jam duke ndërtuar katin e dytë të shtëpisë sime dhe komshiu nuk do që dritaret e mia të bien nga ana e banesës së tij. Dyshoj që sulmi ndaj meje mund të jetë për këtë shkak”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat