Kërcënohet Nazime Visha e cila u amnistua nga Nishani

Kronikë e zezë

Kërcënohet Nazime Visha e cila u amnistua nga Nishani

Më: 26 prill 2016 Në ora: 13:09

Nazime Visha, e cila doli nga burgu pak javë më parë, me amnisti të Presidentit Bujar Nishani, pasi ishte dënuar për vrasjen e Fiqiri Muçës nuk është lënë e qetë nga familjarët e viktimës.

Burimet policore thonë se, Nazimja ka kërkuar urdhër mbrojtje, pasi është kërcënuar nëpërmjet telefonit nga bashkëshortja e Fiqiriut, Menyre Muça dhe djali i saj, Ervis Muça.

“U plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Nazime Visha, 22 vjeçe, banuese në Zallbastar, sepse është kërcënuar nëpërmjet telefonit dhe dhunuar psikologjikisht nga Menyre Muça dhe Ervis Muça, 44 vjeçe dhe 20 vjeç, banues në fshatin Manzë Durrës”, thuhet në njoftimin e policisë, siguruar nga Panorama.al.

Dosja hetimore i ka kaluar Gjykatës së Tiranës. Tani pritet të zbardhen tabulatet telefonike për të mësuar se çfarë përmban kërcënimi.

Pasi Nazimja doli nga burgu, djali i Fiqiri Muçës deklaroi për mediat se vendimi i Presidentit po i detyronte ata të bënin vetëgjyqësi, pasi e kanë quajtur të padrejtë lirimin e vrasëses së Fiqiriut.

“Presidenti me këtë veprim na ka ofenduar shumë rëndë dhe na detyron të bëjmë vetëgjyqësi. Nazimja ka vrarë një person dhe duhet të vuajë dënimin që meriton për këtë vepër. Prandaj nuk ka stabilitet vendi nga krimet, sepse shteti nuk mundet të vërë drejtësi dhe familjarët pastaj detyrohen të futen në gjak me kundërshtarët. Presidenti ka bërë shumë gabim që fali një vrasëse”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat