Atentati ndaj Sulit, kamerat gabojnë me të “dyshuarin”

Kronikë e zezë

Atentati ndaj Sulit, kamerat gabojnë me të “dyshuarin”

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 08:58

Personi që ka mbërritur në Policinë e Tiranës si i dyshuar për vënien e minës se telekomanduar në mjetin biznesmenit Nuredin Suli, është një i ri, i cili është ndodhur në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar. Ai është nga Tirana dhe mësohet se është rreth 22 vjeç.

Nga këqyrja e kamerave ka rezultuar se ky person është parë duke vrapuar në një moment të caktuar, por me sa duket verifikuesit e personave të dyshimtë nuk kanë bërë mirë llogaritjet e kohës.

Referuar të dhënave të policisë në lidhje me shoqërimin e të riut të “dyshuar”, ai ka nxituar në momentin që nga rojet e sigurisë është dhënë urdhri i daljes së të gjithë personave nga ambientet e qendrës tregtare se aty kishte bombë.

I riu ka dhënë deklarimet e tij dhe është lënë i lirë, ndërsa policia e Tiranës nuk ka ende asnjë të dhënë në lidhje me atentatorët dhe as motivet.

Hetimet kanë zbuluar të zotët e telefonit dhe të kartës SIM që është përdorur për realizimin e minës së telekomanduar, persona që kanë rezultuar krejtësisht pa lidhje me ngjarjen.

Njëkohësisht ekspertët kanë verifikuar edhe thirrjet në atë numër, por mësohet se një thirrje hyrëse ka ndodhur në mëngjesin e një dite më parë, kohë kur mendohet të jenë kryer edhe veprimet për montimin e minës dhe vendosjen në makinë.

Nuredin Suli, që për fat arriti të shpëtonte mrekullisht, ka bërë me dije se nuk ka asnjë lloj konflikti tjetër pos atij me familjen Sulo, ku tashmë janë të arrestuar tre persona për vrasjen e vëllait të tij, ndërsa dyshimet tashmë bien mbi një akt të paguar, paçka se nuk dihet nga kush dhe çfarë ka ndodhur kërkesa për eliminimin fizik të Sulit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat