Emigranti ekzekutohet në derë të shtëpisë

Kronikë e zezë

Emigranti ekzekutohet në derë të shtëpisë

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 15:09

Xhevahir Brasha u kthye nga Anglia tre muaj më parë. Mbrëmë u qëllua me dy plumba pranë mbikalimit të Fllakës në Durrës. Policia shoqëron dhjetë persona

I kthyer vetëm tre muaj më parë nga Anglia, një emigrant është ekzekutuar mbrëmë në Durrës, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e krimit të rëndë. Ngjarja ka ndodhur pranë mbikalimit të Fllakës, ku kishte shtëpinë 42-vjeçari Xhevahir Brasha, duke tronditur jo vetëm të afërmit, të cilët e kanë gjetur duke dhënë shpirt, por të gjithë zonën.

Burimet policore lokale bënë me dije se njoftimi për këtë krim është dhënë rreth orës 19:30, kur sipas dëshmive paraprake, Xhevahir Brasha, i njohur edhe si Agim Caka, lindur në Helshan të Kukësit është gjetur i plagosur rëndë pikërisht pranë mbikalimit të Fllakës, ku banonte prej disa vitesh. Dëshmitarët kanë treguar se menjëherë ai është nisur për në spital, por pa mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga armët e zjarrit.

Pas këtij njoftimi, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policore dhe kanë krijuar një grup hetimor për të zbardhur këtë rast të rëndë dhe për të identifikuar autorët e vrasjes. Burimet policore shpjeguan se fillimisht është kontaktuar me familjarët e viktimës dhe më pas me dëshmitarë të tjerë për t’u informuar mbi dyshimet e tyre për autorët e krimit ose ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës. Nga dëshmitë ka rezultuar se pranë vendit të ngjarjes ishin dëgjuar disa krisma automatiku dhe menjëherë kishin dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ngjarë në atë zonë. Jo shumë larg shtëpisë së tij, 42-vjeçari është gjetur pranë një kanali i plagosur rëndë, por nuk ka mundur të tregojë asgjë për atentatorët. Policia tha se ai kishte ndërruar jetë sapo kishte mbërritur në spital, megjithëse kjo deklaratë i ka përplasur uniformat blu me mjekët e spitalit rajonal të Durrësit, të cilët reaguan dhe thanë se viktima kishte ndërruar jetë rrugës për në spital. Mjekët thanë gjithashtu se u gjetën dy plumba në trupin e viktimës.

Grupi hetimor ka nisur të pyesë për të shkuarën e viktimës, duke ngritur dyshimet se ai mund të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal, sidomos në kohën kur ka qenë emigrant në Britaninë e Madhe, nga ku ishte kthyer vetëm tre muaj më parë. Por, deri në orët e vona të natës, këto dyshime nuk janë faktuar, pavarësisht se policia tha se janë shoqëruar dhjetë persona. Policia tha se ata janë pyetur në lidhje me rrethanat e vrasjes së babait të dy fëmijëve dhe më pas janë lënë sërish të lirë.

Për këtë ngjarje foli për mediat edhe një i afërm i viktimës menjëherë pas krimit që tronditi familjen e tyre. Ai thotë se 42-vjeçari Agim Caka, i njohur nga policia me emrin Xhevahir Brasha, kishte pak kohë që ishte kthyer nga Londra dhe nuk kishin ndonjë dyshim konkret për autorët e vrasjes. Vrasjet në këtë fillimviti janë kthyer në një shqetësim për policinë, ku vetëm pak ditë më parë ndodhi një masakër në periferi të Elbasanit, me tre të vrarë dhe tetë të plagosur, krim i cili mendohet se ka ndodhur për hakmarrje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat