I dënuari me 8 vjet burg ekstradohet nga Athina drejt Shqipërisë

Kronikë e zezë

I dënuari me 8 vjet burg ekstradohet nga Athina drejt Shqipërisë

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 09:15

Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Klajdi Demçe, 22 vjeç, lindur në Korçë.

Sipas një njoftimi të policisë, ekstradimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë më datë 30.06.2014, e ka dënuar Demçen me 8 vjet burg, për kryerjen e veprës penale "Armëmbajtje pa leje" dhe "Prishje e qetësisë publike".

“Më datën 18.10.2013, Klajdi Demçe, ka qenë në qytetin e Korçës së bashku me shokun e tij shtetasin me inicialet, V. SH. Gjatë kësaj dite në telefonin e Klajdit vinin telefonata me numër të fshehur, ku ai fyhej dhe ofendohej nga disa persona të cilët i thoshin se ndodheshin në një lokal në Korçë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në këto kushte ai është nisur së bashku me shokun e tij drejt lokalit dhe kur ka qenë aty pranë është telefonuar përsëri, duke i thënë se ndodheshin në një lokal tjetër.

Sipas policisë, Klajdi në këtë kohë ka dalë nga makina, ka nxjerrë armën dhe ka filluar të qëllojë në ajër. Ka hyrë në lokal dhe ka kërkuar të identifikojë personin por nuk ka mundur. Më pas është larguar.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat