Si u thellua hasmëria e familjeve Sulo dhe Suli

Kronikë e zezë

Si u thellua hasmëria e familjeve Sulo dhe Suli

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 16:15

Konflikti mes familjeve Sulo dhe Suli ne Fier u thellua pasi gjykata dënoi Gezim Sulon dhe dy djemte e tij.

Autori i vrasjes së vëllait të biznesmenit Nuredin Suli, ndaj të cilit të martën u tentua një atentat me bombë në Tiranë, pretendon se drejtësia u kompromentua nga familja e viktimës.

Gëzim Sulo, gjatë marrjes në pyetje dhe gjykimit të çështjes në gjykatën e Fierit, deklaroi se ishte ai që e kreu vrasjen e Neim Sulit, i vetëm dhe se dy djemtë e tij Endri dhe Ervis Sulo janë të pafajshëm.

Për të vërtetuar këtë avokatët e tij dërguan në gjykatë një dëshmitare, e dashura e Endri Sulos, që konfirmoi alibinë se ai nuk ndodhej në Fier në kohën e krimit, raporton ABC News.

Një tjetër dëshmi që dështoi të vinte para gjykatës ishte nga shoku i Ervis Sulos, i cili i thirrur nga pala mbrojtëse kishte pohuar se në kohën e vrasjes ai bashkë me të pandehurin ndodheshin jashtë Fierit në një lokal.

Por ky dëshmitar refuzoi të vinte përpara gjykatës.

Gezim Sulo akuzoi familjen e viktimës se kishte ushtruar presion ndaj dëshmitarit për të mos shkuar në gjykatë.

Nga ana e saj, prokuroria solli tabulatet telefonike dhe përgjimin e sinjaleve nga kompanitë celulare që tregonin se celularët e dy vëllezërve ndodheshin pranë vendit të ngjarjes në kohën e vrasjes.

Kjo ka mjaftuar si provë për gjykatën që t’i shpallë fajtorë të tre të pandehurit duke i dënuar me nga 25 vjet burg secilin.

Një tjetër provë e sjellë në gjykatë ishin edhe gëzhojat në vendin e ngjarjes, të cilat rezultonin të dy armëve të ndryshme, një prej pistolete dhe një tjetër kallashnikov.

Përpara nisjes së gjykimit, 6 muaj pas vrasjes së Neim Sulit, makina e vëllait të autorit shpërtheu në autostradë nga një sasi eksplozivi.

Ngjarja mbeti e pazbardhur nga policia ashtu si dhe ngjarja tjetër që ndodhi disa muaj më pas ku u sulmua karburanti i vëllait të viktimës me breshëri kallashnikovi.

Nga këto 2 sulme nuk pati asnjë të lënduar.

Gezim Sulo dhe dy djemtë e tij u arrestuan dy ditë pas ngjarjes në 13 nëntor 2012 ndërsa policia kishte caktuar shpërblimin prej 5 miljonë lekësh për kapjen e tyre.

Ata ishin fshehur në një banesë në një fshat të Fierit. Sulo deklaroi se djemtë ishin bashkuar me të pasi mësuan për ngjarjen dhe i kishin kërkuar të dorëzohej.

Konflikti mes dy familjeve që kishin miqësi me njëra-tjetrën nisi disa muaj përpara vrasjes së biznesmenit Neim Suli.

Viktima dhe autori përfunduan në sherr me grushta duke debatuar për zhurmat dhe problemet që vinin nga pika e servisit, pronë e Gëzim Sulos.

Pak muaj më vonë, atëherë kur mendohej se sherri ishte shuar, Neim Suli vritet me armë zjarri në hyrje të shtëpis.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat