Adoleshentet lënë shtëpinë dhe kalojnë kufirin: Ikëm me dëshirë

Kronikë e zezë

Adoleshentet lënë shtëpinë dhe kalojnë kufirin: Ikëm me dëshirë

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 20:57

Dy adoleshente që janë denoncuar të zhdukura në polici, janë zbuluar se ndodhen jashtë kufirit shqiptar, njëra në Gjermani dhe tjetra në Greqi. Më 29 janar të këtij viti, shtetasi A.K. kishte denoncuar largimin e të bijës 16-vjeçare, E.K. dhe pretendonte se nuk kishte pasur asnjë komunikim me të.

Ndërsa të shtunën, ai është paraqitur në Komisariatin nr.5, ku ka treguar se rreth orës 10:40 të datës 5 shkurt kishte arritur të komunikonte me vajzën. Sipas tij, e bija ishte shprehur se ndodhej në Lingon të Gjermanisë, ku kishte shkuar për të gjetur punë dhe refuzonte të kthehej në shtëpi. Burimet thanë se është kontaktuar edhe nga ana e Policisë me vajzën e larguar dhe ajo thotë se është larguar me dëshirën e saj.

Ndërsa dy ditë më parë, një tjetër adoleshente është denoncuar si e humbur nga familja e saj. Burimet thanë se 45-vjeçari S.B., banues në fshatin Valias, ka denoncuar në Komisariatin e Kamzës se vajza e tij 15-vjeçare, me iniciale O.B., ishte larguar nga shtëpia rreth orës 09:30 të së premtes dhe nuk ishte kthyer më. Nga verifikimet e kryera nga ana e Policisë, është zbuluar se ajo kishte kaluar e vetme kufirin me Greqinë dhe aktualisht ndodhej në shtetin helen.

Policia ka arritur të kontaktojë edhe adoleshenten e dytë, e cila po ashtu pretendon se është larguar me dëshirën e saj nga shtëpia për të punuar në Greqi dhe nuk pranon që të kthehet. Vajzës i është bërë e ditur nga oficeri i Policisë që duhet të kthehet me dëshirë, në të kundërt do të kërkohet kthimi i detyruar nga ana e autoriteteve greke, megjithatë ajo sërish ka refuzuar.

Njësoj si për rastin e parë, duke qenë se vajza është e mitur, Policia ka bërë shpalljen në kërkim duke kërkuar nga Policia greke gjetjen dhe kthimin e saj në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat