Kërkohen 25 vjet burg për Sulajn, për krimet në Greqi

Kronikë e zezë

Kërkohen 25 vjet burg për Sulajn, për krimet në Greqi

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 08:14

Arratisja – Më 2 mars 2013, 11 shqiptarë janë arratisur në mënyrë të organizuar, në bashkëpunim me të burgosur të tjerë, nga Burgu i Trikallasë

Sulmi – Goditja ndaj punonjësve të burgut dhe policëve është bërë me armë luftarake, kallashnikov, granata dhe municion

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 25 vjet burg për njërin nga “babagjyshat” e TEG-ut, në Tiranë, por me akuzën e vrasjes së një polici grek. Më konkretisht bëhet fjalë për shtetasin Fatos Sulaj, i akuzuar për “vrasje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “krijimi i grupit të strukturuar kriminal” dhe “veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Ai akuzohet për një seri ngjarjesh të ndodhura në mars 2013, fillimisht në Burgun e Trikallasë në Greqi dhe më pas në disa zona të tjera të Greqisë. Gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar, në bazë të së cilës, të pandehurit i ulet një e treta e dënimit, në rast se shpallet fajtor. Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon si dënim përfundimtar 25 vjet burgim. Shtetasi Fatos Sulaj ka qenë i burgosur në kohën e ngjarjes në Burgun e Trikallasë dhe, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë arritur të arratisen, me ndihmën e disa personave të armatosur nga jashtë burgut. Gjatë arratisjes, personat, përfshirë edhe Fatos Sulajn, akuzohen se kanë qëlluar me armë në drejtim të efektivëve të policisë së burgut, duke plagosur dy prej tyre.

Sipas prokurorisë, pasi ka mundur të arratiset nga burgu, i pandehuri Sulaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë kryer disa grabitje me armë dhe më pas janë larguar në drejtim të Shqipërisë, ku edhe është arrestuar në vitin 2014. Pas arrestimit, autoritetet greke dërguan materialet në ngarkim të të pandehurit Fatos Sulaj, dhe ndaj tij filloi procesi gjyqësor pranë Gjykatës për Krime të Rënda. I pandehuri kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua nga gjykata, e cila vlerësoi se çështja mund të zgjidhej me gjendjen në të cilat ishin aktet në ngarkim të të pandehurit.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Sipas veprave penale për të cilat akuzohet, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Fatos Sulaj, për kryerjen e një sërë veprash penale. Më konkretisht, për “Pjesëmarrje në Grupin e strukturuar kriminal” kërkohet dënimi me 4 vjet burgim.

Për “Vrasje me dashje e kryer ndaj funksionarit publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë”, ndaj gardianit të burgut, Karras Konstatinos, kërkohet dënimi i të pandehurit me burgim të përjetshëm.

Për “Vrasje me dashje e kryer ndaj funksionarit publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë”, ndaj gardianit të burgut, Dhimitros Michail, kërkohet dënimi i të pandehurit me burgim të përjetshëm. Për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, kërkohet dënimi i tij me 10 vjet burgim dhe për “Prodhimi dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” kërkohet dënimi me tre vjet burgim.

Për “Vjedhje të pasurisë të kryer në bashkëpunim” dhe më shumë se një herë, kërkohet dënimi me 5 vjet burgim dhe për “Vjedhje me armë, në bashkëpunim”, kërkohet dënimi me 15 vjet burgim. Me pranimin e gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtor, kërkohet dënimi me 25 vjet burg. Përveç krimeve në Greqi, Sulaj u përmend si njëri nga 4 “babagjyshat” që vodhën bizhuteri në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat