Tentativa për vrasje, dy shokët në sherr për një femër

Kronikë e zezë

Tentativa për vrasje, dy shokët në sherr për një femër

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 19:59

Më 4 shkurt 2016, Prokuroria ka paraqitur në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj të pandehurit Indrit Zebi, i akuzuar për veprën penale të vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë.

Tashmë Gjykata e Tiranës pritet të fillojë rigjykimin për Indrit Zebin, autorin e ngjarjes së ndodhur më 28 korrik 2013, në Tiranë, ku mbeti i plagosur Jurfion Suparaku.

Në gjykimin e parë, i pandehuri u dënua me 15 vjet burg për akuzën e ngritur ndaj tij, por e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë. Ka qenë kjo e fundit që ka vendosur rikthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Faktit në Tiranë.

Ngjarja për të cilën akuzohet Indrit Zebi ka ndodhur më 28 korrik 2013, kur nga Polica Gjyqësore është marrë njoftim se në afërsi të kafe “Europës”, në rrugën “Xhorxh Bush”, e njohur ndryshe si Rruga e Barrikadave, në Tiranë, i pandehuri ka tentuar me mjete shpuese të vrasë shtetasin Jurfion Suparaku, banor i qytetit të Tiranës.

Nga deklarimet e dhëna nga i pandehuri, si dhe i dëmtuari, ka rezultuar se Indrit Zebi dhe i dëmtuari kanë pasur njohje të mëparshme me njëri­tjetrin, pasi kanë qenë nxënës në shkollën Ekonomike, në Tiranë.

Për shkak të një vajze, marrëdhëniet midis tyre janë ftohur dhe më pas ata kanë pasur konflikte, që kanë kaluar deri në rrahje.

Nga këto konflikte, sipas Prokurorisë, Indrit Zebit i ka lindur mendimi që të vriste Jurfionin, veprim që ai e ka planifikuar ta kryejë në datën 28.07.2013.

Këtë ditë ai ka marrë një biçak dhe rreth orës 10:00 ka pritur pranë banesës së Jurfionit, deri në daljen e këtij të fundit. Rreth orës 11:00, Jurfioni ka kaluar tunelin, që ndodhet afër shtëpisë së tij, dhe është nisur në drejtim të kafe “Europës”.

Në këtë moment i ka ardhur nga pas i pandehuri Indrit Zebi, i cili me biçakun që mbante në dorë e ka qëlluar fillimisht Jurfionin nga pas, në anën e majtë të qafës.

Jurfioni është kthyer dhe ka njohur Indrit Zebin si personi që e ka qëlluar dhe ka kërkuar të vetëmbrohet me duar. Por Indrit Zebi e ka qëlluar disa herë të tjera në anën e majtë të kraharorit dhe në fund në kofshën e majtë. Në goditjen e fundit, biçaku ka mbetur i ngulur në kofshën e majtë. Nga ky moment i pandehuri është larguar me vrap./Panorama/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat