Bllokimi i armës shmangu thellimin e masakrës në Elbasan

Kronikë e zezë

Bllokimi i armës shmangu thellimin e masakrës në Elbasan

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 16:28

Katër ditë pas masakrës së pashembullt në Elbasan, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën 7 të tjerë, policia dhe prokuroria nuk kanë një pistë zyrtare të shkaqeve si dhe të dyshuar si autorë të këtij krimi të rëndë.

Gjatë këtyre diteve, policia ka bërë të ditur se ka shoqëruar mbi 47 persona, të cilët pas marrjes së dëshmive përkatëse janë lënë të gjithë të lirë, ndërsa me dhjetra kontrolle të tjera nga forcat RENEA dhe FNSH nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Paralelisht, janë këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë, si të lokalit ku ndodhi masakra, ashtu edhe të bizneseve aty pranë, por ende nuk ka asnjë të dhënë, as për autorët, as edhe për mjetin me të cilin ekzekutorët kanë lëvizuar.

Mbledhja e gëzhojave në vendngjarje si dhe gjetja e tre armëve automatike pranë vendit të ngjarjes, sërish e kanë lënë në terr zbardhjen e këtij krimi.

Sakaq, disa nga të plagosurit të cilët e kanë kaluar rrezikun për jetën, kanë dhënë dëshmitë e tyre para grupit hetimor, duke treguar thjesht dinamikën e ngjarjes, por asnjë të dhënë për identifikimin e autorëve.

Sipas këtyre dëshmive, breshëritë e plumbave të ardhura nga jashtë lokalit, shkaktuan pasojat që njihen tashmë, tre të vrarë dhe 7 të plagosur, ndërsa një nga autorët, të cilët dëshmitarët okularë e kanë parë të pambuluar me maskë, ka hyrë brenda lokalit për të përfunduar masakrën, por dyshohet se mund t’i jetë bllokuar arma.

Burime jozyrtare, bëjnë të ditur se njëri prej të plagosurve ka pohuar se në atë moment, ata ishin shtirur si të vdekur për t’i shpëtuar ekzekutimit.

Me këto të dhëna, grupi i hetimit bën me dije se e ka të qartë shënjestrën e këtij sulmi në kufijtë e një akti terrorist, që ishte një nga personat e familjes Çapja. Gjithashtu policia është e bindur se krimi ishte një hakmarrje brutale ndaj tij dhe familjes së tij, por historitë e shumta kriminale të kësaj familjeje, e bëjnë të vështirë të identifikohet se kush ishte personi apo grupi i personave që mund të këtë kryer apo porositur krimin.

Tre ditë pas masakrës, Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se asnjë nga familjet, personat e të cilëve ishin shënjestër e sulmit, apo ato familje që dyshohet se kanë patur konflikte dhe hasmëri me familjen Çapja, nuk ka kërkuar mbrojtje nga policia, ndërsa kjo e fundit ka organizuar shërbime përmes agjentëve të krimeve që të mbajë situatën nën kontroll./Top Channel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat