Bie pista e hakmarrjes? E veja e Memës i shkruan Renzit

Kronikë e zezë

Bie pista e hakmarrjes? E veja e Memës i shkruan Renzit

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 10:40

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë në Elbasan, ku tre persona mbetën të vrarë pas një sulmi me armë, pista e parë që hodhi policia ishte ajo e hakmarrjes.

Sipas tyre, me shumë gjasë bëhet fjalë për hakmarrje mes dy familjave, Çapja dhe Mema.

Një histori e tmerrshme, e nisur këtu e 11 vjet më parë, që vetëm merr jetë.

Megjithatë, përmasa e krimit dhe detajet e mëvonshme, nisën të ngrenë pikëpyetje për këtë pistë.

Disa banorë të Elbasanit thonë se familja Mema nuk kishte mundësi financiare të paguante një krim të tillë kaq monstruoz.

Në fakt, e veja e Fadil Memës, i ekzekutuar në Itali vitin e shkuar, e dinte se historia e hakmarrjes ndaj të shoqit do vazhdontë të përndiqte, ndaj pas vrasjes së tij i shkroi kryeministrit italian, Mateo Renzi, që të gjente ekzekutorët e të shoqit.

“E gjithë familja jemi të dënuar me vdekje,” shkruante ajo.

Tashmë pas këtij krimi të tmerrshëm, mund të imagjinosh vuajtjet e kësaj familje.

Për këtë arsye, ata kanë reaguar zyrtarisht dje.

Familja Mema, në hasmëri me Çapjat prej 10 vitesh, thotë se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe kërkon mbrojtje nga policia.

Ata i kanë telefonuar policisë menjëherë pas vrasjes në lokalin e Agron Çapjas, duke kërkuar mbrojtje si dhe janë distancuar nga ngjarja.

Policia verifikoi alibitë e disa prej pjesëtarëve të fisit Mema dhe i lë ata të lirë pas shoqërimit.

Në këtë mënyrë, tre ditë pas masakrës së Elbasanit, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë, zbardhja e ngjarjes është bërë edhe më e vështirë për grupin hetimor.

Pista e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vjetra, është përjashtuar nga një prej palëve në konflikt, pikërisht familja Mema, e cila prej 10 vitesh është në hasmëri me familjen Çapja.

Një deklaratë e shkurtër për median, e shpërndarë nga familja Mema ditën e djeshme, hedh poshtë çdo dyshim për përfshirjen e tyre në krimin e trefishtë.

Ata thonë se emri i familjes është keqpërdorur nga media, ndërsa kërkojnë mbrojtje nga policia nga frika e një hakmarrjeje të mundshme.

“Ne jemi larg kësaj ngjarjeje dhe këtij konflikti që po përflitet. Qyteti i Elbasanit na njeh se cilët jemi dhe i kërkojmë medieve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare dhe burimeve të tjera të konfirmuara, pasi aludohet për lidhje familjare që nuk ekzistojnë”, thuhet në deklaratën për media.

Gjithashtu familja Mema kërkon nga strukturat shtetërore, që të vazhdojnë punën për zbardhjen e ngjarjes.

Deklarata e djeshme e një prej palëve të përfshira në konfliktin që nis 10 vite më pare, pason një telefonatë në policinë e Elbasanit, menjëherë pas ngjarjes së rëndë të mbrëmjes së të mërkurës.

Burime nga grupi i hetimit, konfirmojnë se menjëherë pas krimit në lokalin e Agron Çapjas, njëri prej përfaqësuesve të familjes Mema i ka telefonuar policisë dhe pasi është prezantuar, ka deklaruar se ata nuk kanë asnjë lidhje me këtë ngjarje.

Ata kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu për t’i marrë në mbrojtje, pasi fisi kundërshtar, sipas tyre do të mendojë se kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e hakmarrjes ndaj zinxhirit të vrasjes që kanë përfshirë dy fiset që prej vitit 2005.

Kjo telefonatë ka angazhuar policinë, e cila tashmë mban në vëzhgim të dyja fiset, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme mes tyre, por njëkohësisht ka verifikuar edhe alibinë e pjesëtarëve të fisit Mema.

Menjëherë pas krimit, është shoqëruar në polici vëllai i madh i familjes dhe njëri prej nipave, të cilët kanë patur alibi për kohën kur ka ndodhur sulmi me armë në lokalin e Agron Çapjas. Pas verifikimit të alibisë, policia ka lënë të lirë pjesëtarët e familjes Mema, por pista e hakmarrjes për shkak të konflikteve të vjetra mes dy fiseve, sipas hetuesve nuk është përjashtuar nga hetimi i ngjarjes.

Krahas kësaj piste, grupi i hetimit po verifikon edhe dyshimet e një konflikti të mundshëm për trafikun e lëndëve narkotike, pasi njëri prej viktimave, shtetasi Eno Bedalli, ka qenë i arrestuar në Itali për trafikun e 30 kilogramëve kokainë, bashkë me persona të tjerë.

Dyshohet se ky grup mund të ketë qenë në konflikt për zonat e influencës së lëndëve narkotike me një grup tjetër rival, i cili mund të jetë hakmarrë në këtë formë.

Por edhe Arnold Çapja, një nga të plagosurit në ngjarje, ka qenë i shoqëruar dy herë nga policia, si i dyshuar për dy vrasje të ndodhura në Elbasan dhe në Torino të Italisë, ku viktima kanë qenë persona të dyshuar për vrasjen e shtetasit Sokol Çapja në vitin 2005, ngjarje që solli dhe zinxhirin e vrasjeve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Konflikti midis dy fiseve Mema-Çapja në Elbasan, prej 2005 ka sjellë 11 viktima dhe një sërë atentatesh, ndërsa pas hekurave drejtësia ka mundur të vendosë vetëm 3 persona.

Në atentatin e së mërkurës, në drejtim të lokalit të Agron Çapjes pranë stadiumit “Elbasan Arena”, u qëlluan 65 plumba “Kallashnikovi”.

Në këtë ngjarje mbetën të vdekur: pronari Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakolli dhe miku i tyre Eno Bedalli, ndërsa 8 persona të tjerë që ndodheshin me ta në lokal mbetën të plagosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat