Masakra në Elbasan, muri i lokalit shpëtoi nga vdekja e sigurt 8 të plagosurit

Kronikë e zezë

Masakra në Elbasan, muri i lokalit shpëtoi nga vdekja e sigurt 8 të plagosurit

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 07:52

Muri i lokalit deri tek vetratat prej xhami ka shpëtuar nga vdekja e sigurt, 8 personat që mbetën të plagosur mbrëmjen e së mërkurës në Krastë të Elbasanit. Lartësia e murit ka shërbyer si barrierë, duke kufizuar deri diku sheshpamjen për grupin e personave që qëlluan me breshëri kallashnikovësh drejt lokalit ku ndodheshin pjesëtarë të familjes Çapa dhe të afërmit e tyre.

Mësohet se përmasat e ngjarjes, ku mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli do të ishin më të mëdha.

Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit bënë me dije se në momentin që ka ndodhur sulmi, personat që ndodheshin brenda në lokal janë shtrirë përtokë dhe nëse nuk do të ishte muri, ata do të ishin sharruar nga plumbat. Ndërkohë, nga hetimet e kryera, ka rezultuar se kanë qenë 4 persona me veshje ushtarake që kanë hapur zjarr drejt 50-vjeçarit Çapja dhe të afërmve të tij.

Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se autorët e krimit kanë ndjekur prej kohësh lëvizjet e pjesëtarëve të familjes Çapja dhe kanë organizuar me detaje sulmin ndaj tyre.

Mësohet se grupi hetimor ka zbardhur skemën e kësaj ngjarjeje, ndërsa ka shoqëruar dhe marrë në pyetje rreth 50 persona. Policia dhe prokuroria e Elbasanit dyshojnë se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje dhe se është e lidhur me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë viteve të fundit në këtë qytet. Por, po hetohet edhe në pista të tjera, pasi nuk përjashtohet mundësia që sulmi të ketë lidhje edhe me trafikun e drogës.

Kjo për faktin se njëri prej viktimave, Eno Bedalli, është arrestuar në Itali në qershor të vitit 2013 për trafik lëndësh narkotike me një vlerë prej 10 milion eurosh. Bedalli me disa shqiptarë të tjerë u kapën gjatë një superoperacioni me 300 policë, pasi u akuzuan për trafikuan 31 kg kokainë.

Hetimet
Vrasja e tre personave dhe plagosja e tetë të tjerëve ka alarmuar policinë e Elbasanit, e cila së bashku me prokurorinë po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe identifikimin e arrestimin e autorëve të krimit. Burime pranë grupit hetimor pohuan për Shqiptaren se në sulmin e armatosur kanë marrë pjesë katër persona. Sipas hetuesve të çështjes, autorët e krimit kanë mbërritur tek lokali në Krastë me dy automjete.

Mësohet se ata kanë dalë me shpejtësi nga makina dhe të katërt kanë hapur zjarr me kallashnikovë drejt lokalit. Në momentin që është hapur zjarr, personat që kanë qenë jashtë dhe brenda lokalit janë kapur në befasi dhe nuk kanë pasur mundësi të bëjnë asgjë, përveçse të shtrihen në tokë.

Pasi kanë shkatërruar lokalin, agresorët janë larguar me shpejtësi me mjetet e tyre. Burimet e mësipërme pohuan se pas ngjarjes janë sekuestruar pamjet filmike të 3 kamerave të sigurisë, 2 prej të cilave të lokalit dhe 1 të një biznesi pranë tij. Ndonëse në dukje ishte një kafene e thjeshtë, pronarët e lokalit ishin kujdesur t’a mbanin nën vëzhgim ambientin ku rrinin.

Hasmëria

Pista kryesore e hetimit të policisë për masakrën e së mërkurës është hasmëria mes fisit Çapja me ato Beqiri dhe Mema. Sipas bluve, përgjatë 11 viteve, përplasja mes tyre ka shkaktuar një seri vrasjesh. Mësohet se gjithçka nisi më 26 dhjetor të vitit 2005, ku në lokalin “Aquario” (afër universitetit “Aleksandër Xhuvani”) u vra biznesmeni Sokol Çapja.

Pas ngjarjes, policia arrestoi shumë persona. Mes të akuzuarve ishte dhe Ardian Beqiri, apo i njohur ndryshe se Ardian Meta, i cili më pas u vra në banesën e tij. Po të njëjtat burime pohuan se dy fiset Çapja dhe Mema kanë qenë miq me njëri-tjetrin dhe se kjo miqësi u kris pas ekzekutimit të biznesmenit Çapja.

Gjithçka ka nisur me një “fërkim” shikimesh mes Sokol Çapjas dhe Fadil Memës, në atë kohë shef qarkullimi në Drejtorinë e Policisë Elbasan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat