Masakra e Elbasanit, zbardhen detaje të reja mbi ngjarjen/Policia vë në dispozicion 3 milionë lekë për informacione të vlefshme (Foto)

Kronikë e zezë

Masakra e Elbasanit, zbardhen detaje të reja mbi ngjarjen/Policia vë në dispozicion 3 milionë lekë për informacione të vlefshme (Foto)

Nga: Gjergj Koja Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 15:40

Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të zbulimit të autorëve të masakrës së kryer në Elbasan mbrëmjen e së mërkurën 3 milionë lekë për informacione që do të cojnë në zbulimin e ngjarjes.

Burime policore bëjnë të ditur se nga hetimet e deritanishme mendohet se autorët kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake dhe kanë përdorur dy automjete.

Sipas burimeve policore nga hetimet rezulton se nga dy automjetet kanë zbritur 4 persona, dy nga secili mjet, dhe kanë qëlluar në drejtim të lokalit ku gjendeshin 11 persona, 3 prej të cilëve humbën jetën dhe 8 të tjerë u plagosën.

“Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht me të gjitha kapacitetet e saj, duke angazhuar specialistët dhe ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e datës03.02.2016 në një lokal në Krastë të Elbasanit.

Në këtë kontekst Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e komunitetit për të bërë të mundur zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.

Policia e Shtetit vë në dispozicion 3.000.000 lekë të rinj për çdo informacion të vlefshëm që çon në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Sigurojmë anonimatin për çdo shtetas që do japë informacion të saktë në numrat e cel 0694100353 dhe ne numrin pa pagesë 129”, thuhet në një deklaratë zyrtare të policisë.

Ndërkohë forca të shtuara të policisë së Elbasanit të mbështetura nga ato RENEA dhe FNSH vijojnë kontrollet dhe aksionin për zbulimin dhe kapjen e autorëve, megjithëse deri më tani nuk ka të ndaluar asnjë person për ngjarjen e rëndë.

Policia ka gjetur 3 armë automatike që dyshohet se janë përdorur në krim, ndërsa po kryhet ekspertiza e tyre për të zbuluar shenja gishtash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat