Zbulohet autori i dyshuar i vrasjes së 17-vjeçarit shqiptar në Londër. Policia britanike njofton se arrestoi ditën e djeshme, më 30 nëntor, një të dyshuar për të cilin nuk bën të ditur as emrin dhe as origjinën.
Mediat londineze njoftojnë se, i dyshuari u arrestua në qytetin bregdetar Bognor Regis, në jug-perëndim të Anglisë.
17-vjeçari shqiptar Vaso Kako u vra me thikë shumë pranë shtëpisë së tij në lagjen e Islingtonit, jo shumë larg stadiumit të Arsenalit, më 24 nëntor të këtij viti.
Mjekët luftuan për të shpëtuar të riun shqiptar, por nuk ia dolën. Vëllai dhe pjesëtarë të familjes u bënë thirrje publikut dhe dëshmitarëve të mundshëm të jepnin informacione në polici për identifikimin e vrasësit të 17-vjeçarit.
Mediat britanike shkruajnë se, filmimet e kamerave të sigurisë tregojnë se pasi u godit me thikë në qafë viktima tentoi të largohej me biçikletë, por u rrëzua vetëm pas disa sekondash.
Detektivët ende nuk i kanë zbardhur motivet e vrasjes së adoleshentit. I riu shqiptar po kryente stazh pune dhe nuk kishte të bënte me bandat. Vëllai i tij i madh, Bruno Kako, 25 vjeç, thotë se nuk ia ka idenë se nga kush mund të jetë sulmuar. Vaso është i riu i 18-të që vritet në Londër në këtë vit dhe i 14-ti që vitet me thikë.