Flet nëna: Pashë vrasësin e tim biri që qeshte, më ra të fikët…

Kronikë e zezë

Flet nëna: Pashë vrasësin e tim biri që qeshte, më ra të fikët…

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 17:47

“Gjyqtarët e Korçës, me në krye Stavri Kallçon, lanë të lirë autorin kryesor që i mori jetën djalit tim të vetëm. Më ra të fikët, kur pashë se po e mbronin Redi Kazermën, atë që ma futi djalin në kurth, derisa e vrau bashkë me 7 të tjerë”.

Adelina Hoxhallari nuk i ka ndalur lotët që nga qershori i vitit të shkuar, kur iu vra djali i vetëm, Klement Hoxhallari. Ai ishte vetëm 28 vjeç, i emëruar inspektor i Punës për zonën Korçë-Pogradec, por u vra pas një konflikti për pronën. Bashkë me të shoqin, Adelina priti që më 26 nëntor, Gjykata e Apelit në Korçë të rrëzonte vendimin e Gjykatës së Pogradecit dhe të dënonte për bashkëpunim për vrasje autorin që ata e quajnë kryesor, por në fakt ai u lirua plotësisht.

Trupa gjyqtare, e kryesuar nga Stavri Kallço dhe me anëtarë Olsi Xhavella dhe Brunilda Orhan, urdhëroi që Redi Kazerma të lirohej pasi kishte mbaruar dënimin për moskallëzim krimi. Ndërsa për personin e akuzuar për vrasje, Elton Bregu, la në fuqi vendimin me 12 vjet burg. Në një intervistë për gazetën, Hoxhallari tregon se si u sfumua hap pas hapi çështja e të birit, derisa Stavri Kallço në Apel i vuri vulën shpresës së familjes për të vënë drejtësinë në vend.

Si e prisnit seancën e 26 nëntorit në Gjykatën e Apelit në Korçë?

Prisja me shpresë se drejtësia do të vihej në vend. Prokurorja e Pogradecit nuk çoi asnjë provë në gjyq, duke fshehur autorët dhe faktet e krimit që i morën jetën tim biri në lule të rinisë. Kishim shpresa në Korçë. Prokurorja e Apelit që mbulonte çështjen kërkoi që të dy, si Elton Bregu dhe Rezi Kazerma, të dënoheshin njësoj, si bashkëpunë torë në vrasje.

Pse duhej të dënohej njësoj, kur Kazerma akuzohej vetëm për moskallëzim krimi?

Këtu është e keqja, që nuk ka drejtësi. Për ne, por dhe dëshmitarët që e kanë parë krimin, Redi Kazerma ka qenë organizatori i vrasjes së tim biri dhe ka marrë pjesë në të. Çdo gjë ka qenë e planifikuar më herët, por e sajuan sikur mes tim biri dhe Elton Bregut kishte ndodhur një sherr banal, kështu që autorët të shpëtonin.

Çfarë ndodhi në gjyqin e Apelit?

Prokuroja e çështjes foli si nënë vetë. Iu drejtua avokatit dhe gjyqtarëve të Apelit të Korçës: Ai djalë, Klement Hoxhallari, është vrarë e masakruar me thika e armë të tjera pa zhurmë. Si mund ta quani ju sikur ai është vrarë me biçak? Lirojini, pra, të dy më mirë, iu drejtua ajo atyre. Askush nuk e mori parasysh, as prokuroren e as dhimbjen tonë. Gjyqtarët, të tre, me në krye Stavri Kallçon, jo vetëm që nuk e kthyen çështjen, por e liruan atë që ne e quajmë autorin kryesor.

Ju si reaguat, kur u dha vendimi?

Unë kam pësuar parainfarkt që kur më vdiq djali. Nuk duroj dot më. Kur isha në sallë, shikoja autorët të dy që qeshnin. Më ra të fikët dhe më dërguan në spital. Tani po pres që të bëj një ndërhyrje në zemër, por nuk jam e qetë që të futem në sallë.

Si mendoni, pse nuk u mor parasysh kërkesa e prokurorisë?

Po çfarë të them, ata gjyqtarë janë blerë me para. Ata që akuzohen kanë lekë. Të tjerë janë përfshirë në krimin ndaj djalit tim, por asnjëherë nuk u akuzuan.

Kush e kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Faktit?

Kush tjetër?! Vetë autorët që morën dënimin minimal kërkonin të liroheshin për fare. Prokurorja e Pogradecit i mbrojti deri në fund autorët dhe nuk hetoi siç duhej për vrasjen e Klementit tim. Asaj nuk i interesonte që të dënonte më shumë autorët. Prandaj Elton Bregu kërkoi që të dënohej sa më pak. Ndërsa Redi Kazerma i kishte bërë mirë planet, sepse u dorëzua vetë kur nisi gjyqi. E kishin planifikuar çdo gjë. E dinin se do të dënoheshin pak dhe në Gjykatën e Korçës (Apeli) do të merrnin lirinë, siç e mori Redi Kazerma nga gjyqtari Stavri Kallço.

Keni pasur kontakte apo reaguar për vendimin?

Nuk kishim asnjë mundësi. Ne nuk na lajmëronin fare kur zhvilloheshin çështjet, por i merrnim vesh vetë dhe shkonim në seancë. Edhe ditën kur u dha vendimi, unë u bëra shumë keq se nuk i shikoja dot që të qeshnin autorët. Atë natë e kam gdhirë në spital dhe sot e kësaj dite po qëndroj shtrirë.

Sipas jush, Elton Bregu nuk është autor i krimit, siç e ka përkufizuar prokuroria?

Ai është vetëm një ndër 8 autorët që vranë tim bir. Djali im kishte 8 goditje: në kokë, në qafë, në zemër dhe në këmbë. Të gjitha të thella. Unë ia kam parë vetë me sytë e mi kur e pashë në spital. I kishte duart e nxira, sepse dy e kanë mbajtur dhe 4 të tjerë e kanë qëlluar me thika kasapësh. Njëri prej atyre që e porositi vrasjen e Klementit, me mbiemër Çekiçi, është kasap. Me thikat e tij u qëllua djali im i vetëm. Por prokurorja Dorina Bejko, e Pogradecit, nuk i mori parasysh këto. Në çështjen e djalit tim thuhet se goditjet i janë bërë me biçak, por as biçakun që pretendojnë nuk e gjetën.

Pse ndodhi vrasja e djalit tuaj?

Ditën e krimit e kanë kërcënuar, duke i kërkuar që t’u çonte letrat e tokës ku është ndërtuar furra e bukës, që ne e kemi blerë prej 18 vitesh. Vjehrri im ua kishte blerë gjyshërve të Redi Kazermës, njëkohësisht prindërve të dajove të tij, Çekiçëve, këtu në Starovë. Në atë kohë vetë ata na u lutën që ta blinim dhe Klementi ishte vetëm 10 vjeç atëherë. Papritur ata i kanë shkuar ditën e krimit, më 9 qershor të vitit 2014 tim biri në zyrë. Ai sapo ishte caktuar inspektor i Punës. I ka shkuar Redi Kazerma bashkë me të tjerë, duke i bërë presion: Na sill dokumentet, ndryshe nuk do ta gëzosh. Djali u kthye në shtëpi dhe na tregoi. Burri im shkoi në Starovë te dajat e Kazermës dhe u tha: Pse ma keni kërcënuar djalin? Pse i keni shkuar në zyrë? Ata iu përgjigjën: Djalin mbajeni mbyllur!

Kishit marrë kërcënime më parë për t’ua lënë furrën?

Jo, asnjëherë! Po të kishim probleme, ne do t’ua kishim falur, vetëm djalin të mos na e preknin. Por siç doli më pas ata e kishin planifikuar çdo gjë. Më vonë morëm vesh se ata kishin thënë se: “Do ta heqim qafe atë djalë!”. Jua thashë, atë ditë ndodhi gjithçka. Në orën 9 të mëngjesit i shkuan djalit në zyrë, në 4 e gjysmë pasdite ma vranë. Redi Kazerma e mori në telefon pasdite dhe i tha hajde të pimë një kafe dhe merr dokumentet me vete. Djali i tha të takoheshin në një kafe, por ai ia caktoi në një bilardo, në qendër të qytetit. Gjatë rrugës kanë parë Elton Bregun dhe 3 të tjerë që e kanë ndjekur djalin në lëvizjet e tij. Aty brenda e kanë sulmuar. Dy bënin roje dhe të tjerët e kanë qëlluar në pabesi.

Ka pasur dëshmitarë vrasja e djalit tuaj?

Ka pasur shumë, por nga frika apo se janë bashkëpunëtorë nuk tregojnë. Që nga kamerieri në lokal e të tjerë persona që e kanë parë djalin e të tjerët në bilardo. Kur e kanë vrarë djalin, kanë dalë me thika në duar duke kërcënuar ata që i panë të mos flisnin. Im bir ka mundur të dalë jashtë e aty ka dhënë shpirt.

Konkretisht ju përmendni shumë emra të përfshirë në krim…

Po, janë shumë, jo vetëm Elton Bregu. Këtë e sollën nga Korça enkas, por të tjerë ishin organizatorët. Janë dajat e Redi Kazermës e ky vetë që ma vranë djalin. Pse ky është akuzuar për moskallëzim krimi? Ai ma thirri djalin dhe e qëlloi bashkë me të tjerët.

Çfarë do të bëni pas vendimit të Apelit?

Mendova se Stavri Kallço me gjyqtarët e tjerë do ta dënonin Redi Kazermën ashtu si ai tjetri për bashkëpunim në vrasje. Mirë të tjerëve që nuk u hyri asnjë gjemb, por është dënuar vetëm një person që u thirr nga Korça në Pogradec nga të tjerët. Unë do të kërkoj deri në fund të bëhet drejtësi. E di që djali nuk më kthehet, por nuk mund të dënohet vetëm një, kur im bir u masakrua nga 8 veta. Do të kërkojmë që dosja të merret nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vetëm atëherë mund të shpresoj se do të hetohet deri në fund vrasja e tim biri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat