Vrasja në Fier: Nuk e masakrova Likometaj, s’e dija që më ngacmonte nënën

Kronikë e zezë

Vrasja në Fier: Nuk e masakrova Likometaj, s’e dija që më ngacmonte nënën

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 09:05

“Nuk jam vrasës. 82- vjeçarin Novruz Likometaj nuk e masakruar unë. Nuk e kam takuar asnjëherë viktimën. Jam në rregull me veten time dhe nuk kisha dijeni se ai më ngacmonte nënën”. Kështu ka deklaruar dje para togave të zeza të Fierit, Skënder Krasniqi, i cili u arrestua disa ditë më parë.

Gjatë fjalës së tij, 37-vjeçari ka thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 22 nëntor, kur i moshuari u gjet i pajetë, i mbështjellë me një çarçaf, në një kazan mbeturinash. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dhe vëllai i të pandehurit, Kujtim Krasniqi, i cili është shprehur se Skënderi është i pafajshëm dhe se ndodhej në banesë me gruan dhe fëmijët e tij kur është kryer vrasja.

Seanca gjyqësore

Mëngjesin e djeshëm, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Skënder Krasniqit, i cili akuzohet si autor i vrasjes së 82-vjeçarit Likometaj. Pas paraqitjes së provave materiale nga prokurori i çështjes, Erind Rahovica, i është dhënë fjala 37-vjeçarit, i cili ka pohuar se nuk është autor i krimit. Ndërkaq, avokati i Krasniqit deklaroi se nuk ka prova që e përfshijnë klientin e tij në këtë krim. Pavarësisht argumenteve të dhëna nga mbrojtja, gjyqtarja Arta Duka ka marrë pranuar kërkesën e prokurorit Erind Rahovica, duke vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj 37-vjeçarit Skënder Krasniqi.

Ndërkohë, jashtë sallës së gjyqit, vëllai i këtij të fundit, Kujtimi ka akuzuar policinë për ushtrim dhune. “Skënderi nuk ka gisht në ngjarje. Jam i sigurt se ai është i pafajshëm dhe po e akuzojnë kot. Im vëlla është 5 kile njeri dhe nuk kishte mundësi ta vriste e ta hidhte në kosh të mbeturinave 82- vjeçarin. Policët e kanë rrahur vëllanë që të pranojë autorësinë e krimit, por ai s’ka si ta pranojë kur s’e ka bërë. Ai shet gjithë ditën banane për të fituar 2 mijë lekë të vjetra e për të mbajtur familjen e tij. Policia më shoqëroi edhe mua në lidhje me vrasjen e Novruz Likometajt. Më kanë mbajtur brenda 12 orë, ndërsa më kanë sharë dhe më kanë rrahur. Dy persona më mbanin, ndërsa dy të tjerë më godisnin në zyrat e shtetit, në zyrat e policisë. Do ta ndjek çështjen deri në fund. Policia ta gjejë diku tjetër vrasësin e të moshuarit. Po na fusin kot në hasmëri”- ka pohuar Kujtim Krasniqi, shkruan “GSH”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat