"Ma ngritën djalin nga gjumi për të ma vrarë"

Kronikë e zezë

"Ma ngritën djalin nga gjumi për të ma vrarë"

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 10:34

Këto ditë, kur po flitet kaq shumë për reformën në drejtësi, vazhdojnë të vijnë lajme të këqija nga kjo fushë.

Mëngjesin e së premtes u mësua se policia ka arrestuar një prokuror pasi akuzohet për korrupsion pasiv.

Bëhet fjalë për prokurorin Petrit Vukaj.

Prokurori i Fierit u arrestua mëngjesin e sotëm në momentin kur po shkonte në punë.

Sipas prokurorisë, Vukaj ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënimin e shtetasit Elton Xhemali, kundrejt një shume prej 300 mijë lekësh të rinj.

Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se vëllai i Elton Xhemalit, së bashku me një oficer policie, kanë ndërhyrë tek prokurori Vukaj për të ulur masën e dënimit.

Vukaj është një prokuror me eksperiencë 20-vjeçare dhe ka trajtuar shumë çështje.

Por meqë jemi tek drejtësia e korruptuar, një baba në Pogradec akuzon se gjyqtarët kanë liruar vrasësit e të birit.

Nevzat Hoxhallari është babai i Klementit, 28-vjeçarit të vrarë në mes të Pogradecit në një lokal për një konflikt pronësie.

Një nga autorët është liruar nga Gjykata e Apelit, kurse Elton Bregu është dënuar me 12 vite burg.

“Ma ngritën djalin nga gjumi për të ma vrarë. Gjykata liroi personin që e telefonoi dhe e thirri tek lokali, ku një grup personash i morën jetën, ndërsa ai që e qëlloi me thikë do të dalë shumë shpejt. Përveç korrupsionit, nuk gjej fjalë tjetër”.

“Unë e rrita atë djalë me gjak, nuk arrita ta shoh të martohet, të bëhet prind. Më mbylli derën. Çfarë drejtësie është kjo? E vrasin djalin në mes të rrugës dhe i lënë të lirë. Mua djalin nuk ma kthejnë më, por edhe me kaq nuk i lë. Ata i fshehën provat dhe lanë të lirë kriminelët,” thotë babai i viktimës për gazetën Panorama.

“Djalin e kishin goditur tetë herë me thikë, ata thanë që e qëlluan katër herë. Dy persona e kishin mbajtur nga kyçet e duarve, ndërkohë që Elton Bregu e godiste me thikë. Askush nuk i nxori këto prova. Kanë qenë pesë persona që e vranë tim bir, por policia dhe shteti i fshehën. Nëse autorët do më kishin kërkuar pronën, do ua jepja, në një qese plastmasi do flija dhe të kisha djalin gjallë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat