Italiani vret “skifterin” shqiptar në banesë: Kërkuan edhe çfarë nuk kisha

Kronikë e zezë

Italiani vret “skifterin” shqiptar në banesë: Kërkuan edhe çfarë nuk kisha

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 09:31

“Ka keqbërës rreth e qark që mendojnë se çfarë të përket ty është e të gjithëve! Këta të tre donin jo çfarë kisha e ç`ka iu dhashë, por ç`ka mendonin se kisha e në fakt nuk kisha!” Kështu e përkufizon këmbënguljen e marrë dhe kriminale të tre shqiptarëve për t`i marrë gjithçka kishte e nuk kishte biznesmenit të njohur të floririt dy netë më parë në Milano. Sipërmarrja e grabitësve shqiptarë përfundoi me një të vdekur, e konkretisht emrin e shumëpërfolur në mediet vendase prej më shumë se një dekade, Valentin Frrokaj!

Dy të tjerët kanë arritur të largohen, e gjithë policia e Milanos është vënë në ndjekje të tyre, duke i konsideruar me rrezik potencial, ndërsa në rrëfimin prej më shumë se 4 minutash, për “Corriere TV”, Rodolfo Corazzo tregon gjithçka ndodhi në shtëpinë e tij. Është e habitshme të mendosh që shqiptarë arrijnë deri në atë nivel monstruoziteti përballë një familjeje, e aq më tepër kur e të paktën viktima që njihet, dinte se çdo të thotë të dhunosh dhe poshtërosh familjen e tjetrit.

Corazzo, i cili ishte zotërues i disa dyqaneve floriri në Rodano të Milanos, në gjithë rrëfimin e tij, është jo vetëm i kujdesshëm e njerëzor, por madje për asnjë moment nuk i gjykon dhunuesit dhe kërcënuesit e jetës së fëmijës së tij vetëm 10 vjeç: “Nuk është mirë të vrasësh. Askush nuk mund të ndjehet mirë se vret një njeri. Unë iu dhashë çfarë kisha dhe nuk ishin pak”. Viktima e Milanos, i cili ishte në moshën 37-vjeçare, kishte përveç një mase të dënimit me burgim të përjetshëm për një vrasje të një të riu shqiptar, edhe një sërë akuzash të tjera që lidhen me arratisje, ndër më të bujshmet në Itali dhe grabitje me armë. Prej disa vitesh ai njihej me nofkën “skifteri” pasi jo vetëm i shpëtonte policisë po edhe kur ishte në qelitë e burgjeve të sigurisë së lartë, ai mundte të arratisej!

Rrëfimi i biznesmenit

“Mbërrita në shtëpi rreth orës 19.35. Nxorra telekomandën dhe sapo i jap komandën e portës shoh tre persona që hynë brenda. Ishin me kapuçëë dhe njëri i armatosur. Më afrohen e më thonë rri i qetë se nuk të bëjmë gjë. Hoqa kaskën e motorit. Njëri nga ata më preku për të më kontrolluar se a isha i armatosur, por përciptas. Unë kisha një xhaketë të trashë veshur e nuk dallohej arma pistoletë që kisha me vete. I armatosuri kërkoi të më lidheshin duart me litar, por nuk pranova. Ju thashë merrni çfarë të doni, vetëm mos me lidhni. Nuk bëj asnjë rezistencë, por nuk dua probleme.

Do t`iu jap ç`ka kam dhe që të tre duket se ishin dakord. Më thanë se, nëse sillesh mirë dhe na jep ç`ka duam, s`do t`iu prekim. Hyra në kuzhinë dhe gjeta time shoqe. U ula në divan. Hoxha xhupin e madh e hapa me kujdes zinxhirin e xhaketës së brendshme për të patur më të lehtë të nxirrja armën. Hoqa orën. Nxora portofolin dhe e boshatisa. Ua dhashë gjithçka kishte. I nxora vetë pasi nuk doja të ndërhynin për t`i marrë se do ta kuptonin që kisha armë. Gjetën edhe kasafortën dhe ata të tre e ne, unë gruaja dhe vajza, u zhvendosëm te kasaforta. E boshatisa edhe atë. Morën gjithçka pati edhe aty, bashkë edhe me një armë.

Meqë jam argjendar unë mbaj prej shumë vitesh armë me leje. Pasi morën çfarë kishte edhe kasaforta më kërkuan kasafortë tjetër dhe iu thashë se nuk kam tjetër. Personi i armatosur, (që sipas biznesmenit i bie të mos ketë qenë viktima) më tha se, si mendon ti se kam udhëtuar 420 km vetëm për këto budallallëqe që na dhe?! Më tha se ti ke para dhe kush na ka sjellë deri këtu e di se ti ke shumë para, ora e flori. Pastaj njëri prej tyre, zbriti e gjeti çelësin e kasafortës tjetër. E hapi, e aty gjeti armët. Aty kisha 10 pistoleta të deklaruara, se jam koleksionist. Personi që hapi kasafortën më tha se ti je i çmendur që mban gjithë këto pistoleta, e unë i thashë se jo, në fakt i çmendur je ti që vjen në shtëpinë time. Aty nisi edhe kërcënimi i tyre dhe më pas më thanë se nëse nuk do që të shkojë keq puna, do të na japësh gjithçka që të kërkojmë.

Kërcënimi me thikë i vajzës

...Iu thashë se iu kam dhënë gjithçka kam. Iu pata dhënë 5 mijë euro, të gjitha bizhutë e gruas dhe disa ora. Njëri prej tyre pyeti vajzën se ku i mbaja paratë. Vajza nuk u përgjigj. Atëherë grabitësi e kapi për krahu dhe u nis të largohej me të. I thashë mos e prek vajzën, por personi i armatosur më tha se nuk i bënte asgjë të keqe. Mori një thikë në kuzhinë; një thikë të madhe me teh të mprehtë, e pastroi mirë e mirë me një letër kuzhine e mu afrua me thikën duke ma goditur mbi tryezë dhe më tha: Keni tre minuta kohë të më thoni ku i keni lekët, përndryshe iu çajë me thikë të treve. Atë moment mendova se mbaruam. Kam dalë me vrap jashtë kuzhine dhe mbylla derën sa nxora pistoletën dhe e mbusha. Gruaja dhe vajza kanë hyrë poshtë divanit. Kur hyra me armë ata ia mbathën shkallëve që të çojnë në kantinë.

E aty nuk i pashë dhe as i dëgjova më. Nuk ndihej as miza jashtë e nga frika se do vinin sërish brenda qëllova që të dëgjonte dikush nga jashtë krismën. Qëllova drejt murit. Për pak askush nuk lëvizi më pas pashë njërin që ikte me vrap, ai që ishte i armatosur. U fut tek cepi i shkallës, aty ku unë nuk shikoja asgjë nga errësira. Ai tjetri që kishte marrë pistoletën time, qëlloi dy herë. Atëherë qëllova sërish në drejtim të tyre. Pas kësaj dëgjova një gufim të dikujt që dukej sikur sapo u rrëzua e më pas edhe një të shtënë tjetër. Në atë moment ime shoqe doli duke ulëritur në dritare e thirri fqinjët që të mos dilnin në rrugë se kishte njerëz të armatosur që donin të grabisnin. Njëri prej tyre ndezi makinën e gruas. I dha mbrapsht drejt një makine “Cler” sepse nuk arriti ta hapte dot dhe e prishi makinën ngaqë nuk e arriti ta hapte dot. Atëherë mbërriti një komshi me një shkop bejsbolli. I ra ziles së portës, i hapa derën dhe ai i kërkoi. Ishin larguar. Në atë moment ai dëgjoi një rënkim të dikujt që dukej që po jepte shpirt. Kishte rënë përmbys!”

Dyzimi mbi fajësinë dhe pafajësinë

Biznesmeni italian është vënë në dilemën e një tjetër rasti ku një italian vrau në rrethana misterioze një tjetër shqiptar, por rasti i dy ditëve më parë edhe për prokurorinë e Milanos është vërtet në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai tregon gjithçka ka ndodhur me përpikmërinë më të madhe ndërsa hetimet mësohet se po i ndjek një prej prokurorëve më të njohur në Itali, Alberto Mobili. Rodolfo Corazzo, beson te drejtësia ndërsa për asnjë moment ai nuk bën viktimën dhe as nuk e gjykon viktimën në rrëfimin e tij, i vetmi i bërë përgjatë gjithë se djeshmes në median italiane. Ai tregon se do iu jepte gjithçka kishte, por në momentin që i kanë prekur vajzën, atëherë është detyruar të reagojë. Në fakt, grabitësit kishin rënë dakord me të që në fillim se nuk do ta ngacmonin, por ato jo vetëm që e kishin ngacmuar por i kishin vënë edhe thikën vajzës. Corazzo tregon: “I kishte thënë vajzës se nëse nuk tregon se ku është kasaforta tjetër do të pres gishtërinjtë një nga një!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat