E dhunoi burri për 10 vite dhe më në fund e la në rrugë me dy fëmijë (Video)

Kronikë e zezë

E dhunoi burri për 10 vite dhe më në fund e la në rrugë me dy fëmijë (Video)

Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 09:58

37-ja nga Velesi i Maqedonisë është një nga viktimat e dhunës familjare. Ajo për televizionin 21 flet për torturën që ka përjetuar 10 vite me radhë. Kjo protagoniste e dhunës në familje kërkon që identiteti i saj të mbetet anonim, për shkaqe sigurie.

“Gjatë shtatzënisë gjithë kohës “kam ngrënë dajak” nga burri im. I shtroja bukën, thoshte se nuk është ushqimi i mirë. Ja hekurosja këmishën, prapë më thoshte se nuk ishte hekurosur mirë. Ai gjithnjë kërkonte imtësira të vogla dhe arsye, që më pas ta shfryjë mllefin. Pasi që më rrihte, nuk mundesha të ngritëm në këmbë. Ai vinte dhe më përkledhte duke më thënë se më kishte goditur gjoja për të mirën time, që të mbushem mend. Por nga ana tjetër, unë nuk kisha bërë asgjë”, tha ajo.

Edhe dy fëmijët e saj janë dëshmitarë të dhunës, e përjetuar vite me radhë. Viktima e kësaj dhune shprehë pakënaqësi edhe ndaj policisë, që sipas saj nuk kishte vepruar si duhet.

“Mbrojta jonë ka zgjatur vetëm 6-7 muaj, kur ishim në strehimore. Pastaj ngelëm të vetëm në rrugë. Në një rast, ai goditi edhe fëmijën, në vend që të më godiste mua. Kur e lajmëruam rastin në polici, ata na u përgjigjen se ai është babai i fëmijës. Policia na tha se ai ka qenë nervoz dhe se si mund të akuzohet si prind. Duke përfituar nga ky rast, dhunuesi vazhdoi avazin e njejtë të ushtrimit të dhunës. Shpeshherë edhe lajmërohet dhe thotë se do të vras”, shtoi gruaja e dhunuar.

Viktima e këtij maltretimi dhe torture të përjetuar nuk ndjen siguri edhe tek institucionet. Ajo mendon se institucionet janë të shurdhëta kur bëhet fjalë për raste të tilla siç ka përjetuar ajo.

“Nëse e paditi do shkoj në gjyq, por kam frikë, çka pastaj, kur të dalë nga burgu. Me vite të tëra nuk kam mundur ta bëjë këtë dhe nuk kam pasur sukses, sepse kam frikë. Nuk mund të harrojë tmerrin e përjetuar, shpeshherë zgjohem nga gjumi duke ulëritur. Ndonjëherë kam frikë edhe nga hija ime në rrugë, duke pritur se papritmas do të shfaqet dikund”.

Kjo grua e divorcuar me dy fëmijët e saj kanë edhe probleme shëndetësore. Njëri nga fëmijët e saj gradualisht po e humb shikimin dhe memorien. Kjo familje nuk ka strehim mbi kokë dhe për atë kërkon ndihmë nga qytetarët zemërgjerë. Dhuna në familje është gjithnjë më prezentë në familjet në vend. Sipas statistikave të organizatave joqeveritare, Maqedonia radhitet në vendin e 70 në botë sa i përket dhunës në familje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat