Kapet njëri vrasës, kërkohet tjetri. Viktima i kishte ngacmuar motrën

Kronikë e zezë

Kapet njëri vrasës, kërkohet tjetri. Viktima i kishte ngacmuar motrën

Më: 11 tetor 2015 Në ora: 16:43

Pa kaluar 24 orë nga vrasja e një 24-vjeçari në Shkodër, policia tha se arrestoi autorin dhe shpalli në kërkim një tjetër, teksa mësohet se vrasësi pretendonte që viktima i kishte ngacmuar motrën. Pardje në mëngjes, u vra Luigj Gjergji, 24 vjeç, ndërsa policia dyshon se i arrestuari Akil Gradeci dhe Eduard Hulej, i shpallur në kërkim, janë autorët e dyshuar të vrasjes. Si shkak mendohet se ka qenë një grindje e disa ditëve më parë, mes shtetasit Eduard Hulej, i cili dyshohet se është edhe autori i vrasjes dhe 24-vjeçarit Luigj Gjergji.

Nga sa mësohet nga policia, Luigj Gjergji është akuzuar nga ana e Eduard Hulajt, se disa vite më parë i ka ngacmuar motrën. Ndërsa në momentin e takimit mes këtyre të dyve grindja ka përfunduar në ofendime. Luigj Gjergji,nga fshati Pistull, është ekzekutuar rreth orës 02:10 me breshëri kallashnikovi teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip “Audi” me targa greke NZP8147 në aksin rrugor Kryebushat – Vau i Dejës, pranë vendit të quajtur karburant “Palushaj”. Policia tha se Akil Gradeci, 24 vjeç, është banues në fshatin Shkjezë, kurse 32-vjeçari Eduart Hulej, banon në fshatin Plezhë. Ditën e premte, Luigj Gjergji ka përcjellë nënën e tij deri në Aeroportin e Rinasit, pasi ajo do të udhëtonte për në Greqi. Më pas 24-vjeçari është kthyer në banesën e tij dhe në mbrëmje ai u ka thënë të afërmve se do të shkonte në një lokal për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Serbi.

I riu ishte duke udhëtuar me makinën e tij, kur në afërsi të fshatit Stajkë, një automjet tjetër i ka prerë rrugën. Mësohet se një nga personat që ishte në këtë automjet ka qëlluar Gjergjin me breshëri kallashnikovi në një distancë prej afro shtatë metrash. Nga plumbat e shumtë, 24-vjeçari ka vdekur në vend, ndërsa mjeti ka përfunduar në një kanal me ujë në anë të rrugës, me dy metra thellësi. Po të njëjtat burime sqaruan se autori i krimit për t’u siguruar që e kishte vrarë emigrantin, ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar sërish mbi të.

Një gjë e tillë konfirmohet nga fakti se edhe në anë të kanalit janë gjetur disa gëzhoja plumbash. Pas kryerjes së krimit, agresori është larguar duke përfituar nga errësira, ndërsa ka pasur një bashkëpunëtor. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale mbi 10 gëzhoja kallashnikovi. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shoqëruar gjashtë persona, si dhe ka marrë në pyetje familjarët e viktimës. Këta të fundit kanë pohuar se nuk ishin në dijeni nëse djali i tyre kishte sherre të mbartura. Fillimisht ishte dyshuar që i riu të ishte vrarë pas një sherri të çastit. Viktima ishte prej disa kohësh emigrant në Greqi, ku jetonte me nënën dhe familjarë të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat