Gurë ndaj autobusit të serbëve, 18-vjeçari rrezikon 10 vjet burg

Kronikë e zezë

Gurë ndaj autobusit të serbëve, 18-vjeçari rrezikon 10 vjet burg

Më: 11 tetor 2015 Në ora: 08:39

Marsel Qeleshi, 18-vjeçari që goditi me gurë autobusin serb rrezikon deri në 10 vjet burg sipas legjislacionit shqiptar. Mbi të riun rëndojnë 3 akuza, një prej të cilave: “kryerje e veprimeve të dhunshme ndaj personave të mbrojtur ndërkombëtarisht”. Kjo vepër penale mund të dënohet edhe me gjobë, por edhe me 1 dekadë në burg në rastin kur “nga vepra kanë ardhur pasoja të rënda materiale apo janë sjellë ndërlikime në marrëdhëniet dypalëshe, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet”.

Konkretisht, ai gur në xhamin e autobusit të kombëtares serbe pasoi një protestë zyrtare të Beogradit dhe më pas refuzimin e pranimit të kësaj proteste nga ambasadori ynë në Serbi. Më tej, situate u përshkallëzua sepse Serbia vendosi të mos e njohë ambasadorin Boçka për një periudhë 6-mujore. Shkurt, fati i 18-vjeçarit është në dorë të interpretimit të prokurorit dhe gjykatësit. Ata mund ta dënojnë me gjobë, por edhe me dënim maksimal sipas ligjeve në fuqi.

MASA E SIGURISE

Marsel Qeleshi, jetimi që goditi me gurë autobusin e Kombëtares serbe, rrezikon të mbetet në qeli. Prokuroria e Tiranës, i është drejtuar gjykatës me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj 18-vjeçarit. Ndaj tij janë ngritur tri akuza; ajo e “shkatërrimit të pronës”, “prishjes së qetësisë publike” dhe “kryerjes së veprimeve të dhunshme ndaj personave të mbrojtur ndërkombëtarisht”. Marsel Qeleshi do të dalë sot përpara gjykatës për të mësuar fatin e tij.

Ndërkaq, në dosjen e prokurorisë sqarohen rrethanat e ngjarjes dhe arsyet përse Qeleshi e goditi autobusin e Kombëtares serbe, që në fakt, nuk pësoi ndonjë dëmtim të rëndë. “Në datën 07.10.2015, rreth orës 18:00, ekipi i Kombëtares së Futbollit të Serbisë kishte ardhur në Tiranë, pasi në datën 08.10.2015, në stadiumin e qytetit të Elbasanit do të luhej ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi. Rreth orës 18:45, autobusi i Kombëtares serbe ka qenë duke qarkulluar te Rruga e Durrësit. Në afërsi të gjimnazit ‘Qemal Stafa’, shtetasi Marsel Qeleshi ka qëlluar me gurë në drejtim të autobusit të Kombëtares serbe, duke shkaktuar dëmtime, dhe më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Mësohet se Marsel Qeleshi, e pranon faktin se është pikërisht ai personi që e ka goditur me gurë autobusin dhe pranon gjithashtu faktin se në momentin që ka bërë këtë veprim ndodhej në afërsi të gjimnazit “Qemal Stafa”.

18-vjeçari ka treguar edhe motivet e goditjes me gurë të mjetit të serbëve dhe, ndonëse prokuroria është e rezervuar të japë detaje lidhur me këtë fakt, nga burime të “GSH” mësohet se Qeleshi është shprehur se, goditjen e bëri për shkak të urrejtjes. Megjithatë, pritet që gjatë seancës së sotme gjyqësore ai të japë shpjegime për aktin që ka kryer dhe sigurisht të kërkojë lirimin nga gjykata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat