Shantazhonte të dashurën me video intime, ndalohet 18-vjeçari. Vajza: Më zhvati 6 mijë euro

Kronikë e zezë

Shantazhonte të dashurën me video intime, ndalohet 18-vjeçari. Vajza: Më zhvati 6 mijë euro

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 09:54

Shantazhonte ish-të dashurën se do të publikonte një video intime0 në internet, ndalohet 18-vjeçari. Ngjarja ndodhi dje në qytetin e Durrësit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bënë me dije, se Argjend Ajdini dyshohet se për një kohë të gjatë kërcënonte 18-vjeçaren me inicialet S.B., me të cilën kishte pasur një lidhje dashurie.

Të njëjtat burime deklaruan se i riu dyshohet se i ka marrë rreth 6 mijë euro vajzës si dhe bizhuteri me vlerë, në këmbim të heshtjes. Kanë qenë familjarët e 18-vjeçares ata që kanë bërë denoncimin në polici ndaj të riut, i cili akuzohet për veprat penale “Vjedhje” dhe “Mashtrim”.

“Unë dhe Argjendi kemi qenë të dashur. Ai më ka shantazhuar disa herë se do të publikonte një video në kohën kur kemi qenë bashkë. Më ka kërkuar shumë herë para, të cilat i ka marrë pjesë-pjesë. Ua merrja prindërve lekët, pasi ai më bënte vazhdimisht presion. Videon e ka xhiruar në fillim të këtij viti, pasi thoshte se do t’ua tregonte të gjithëve që unë isha e dashura e tij. Kur vinte në shtëpinë time, Argjendi më ka vjedhur bizhuteritë e sende me vlerë. Kisha frikë t’u tregoja prindërve dhe isha e tmerruar, deri në momentin kur ata më akuzuan mua. Aty më pas tregova të vërtetën”.

Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë 18-vjeçarja me iniciale S.B., banuese në lagjen nr.4 të Durrësit. Vajza, maturante në një nga gjimnazet e qytetit bregdetar, pohoi më tej se i ish-i dashuri i saj, Argjend Ajdini, banues në lagjen nr.17, nga periudha korrik-gusht 2015 i kishte marrë me anë të mashtrimit shumën prej 5.670 eurosh. Burime policore deklarojnë se djali ka pasur hyrje-dalje të shpeshta në shtëpinë e së dashurës, ndërsa më herët, gjatë lidhjes së tyre intime ai i ka marrë nëpërmjet mashtrimit e shantazhit shumën e parave.

Sakaq, burime nga grupi hetimor bënë me dije se nga marrja në pyetje e vajzës dhe djalit dhe familjarëve të tyre, mësohet se dy të rinjtë kanë pasur një lidhje intime prej më shumë se një viti. Të njëjtat burime pohuan, se ka dyshime që 18-vjeçari i ka shpenzuar paratë për jetë luksi dhe me shoqërinë në lokale dhe në pub-e. Ndërkaq, pritet që i riu të dalë para togave të zeza në gjykatë, që do të vendosin për masën e arrestit ndaj tij, nëse do të hetohet në burg apo në gjendje të lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat