30 vite burg, tritol kolegut pasi i ndaloi djalin me makinë pa letra (Foto)

Kronikë e zezë

30 vite burg, tritol kolegut pasi i ndaloi djalin me makinë pa letra (Foto)

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 16:50

Ndaj një ish-punonjësi policie që në bashkëpunim me një person tjetër organizoi atentat për eliminimin e një kolegu të tij në Policinë e Shtetit janë kërkuar 30 vite burg.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin në total me 75 vjet burgim për Shaban Lami dhe Renato Kazani, të akuzuar për “vrasjen e punonjësit të policisë”, të mbetur në tentativë, për një ngjarje të ndodhur më 24 tetor 2013.

Lami në bashkëpunim me Kazanin, vendosën lëndë ekspozive në mjetin e komandantit të njësive të patrullës së përgjithshme të komisariatit nr. 6, Shkurt Toplana.

Lënda plasëse, rreth 500 gramë tritol, shpërtheu në momentin që në të po hipte punonjësi i policisë, duke e shkatërruar mjetin, por pa i shkaktuar dëme objektivit të atentatit.

Nga hetimi rezultoi se shtetasi Shaban Lami, në atë kohë punonjës policie në Komisariatin nr. 5, Tiranë, kishte debatuar me objektivin Toplana, për faktin se patrullat e komisariatit nr.6 i kishin ndaluar të birin, shtetasin Ervis Lami, pasi udhëtonte me një automjet pa dokumentacion.

Për këtë arsye, duke diskutuar edhe me disa miq të të birit, të cilët kishin pakënaqësi ndaj punonjësit të policisë Toplana prej kohës kur ky i fundit punonte në komisariatin nr. 5, në Kamëz, vendosën të hakmerren ndaj tij.

Lami, së bashku me Kazanin organizuan atentatin ndaj efektivit Toplana, me veprime aktive, duke siguruar, vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në mjetin e Toplanës, me qëllim vrasjen e tij.

Sipas organit të akuzës, pavarësisht se qëllimi kriminal përfundimtar, vrasja e efektivit të policisë Toplana, nuk u realizua përfundimisht, dy të pandehurit kanë kryer të gjithë veprimet për të finalizuar veprimet e tyre. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 30 vite burg për Lamin dhe 35 për Kazanin.



(Në foto: makina e Shkurt Toplana pas atentatit)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat