Dy të rinjtë e ekzekutimeve tek “1 maji” pendesë në gjyq: Kishim punë vetëm me Gaçajn

Kronikë e zezë

Dy të rinjtë e ekzekutimeve tek “1 maji” pendesë në gjyq: Kishim punë vetëm me Gaçajn

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 09:21

“Ne kishim punë vetëm me Gaçajn. Nuk kishim dijeni që në makinë ndodheshin dy persona të tjerë. Jam penduar për krimin, por Elvis Gaçaj na ka poshtëruar”. Këto janë fjalët dhe pendesa në sallën e gjyqit e Sael Sulajt, një prej dy të dyshuarve për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e një të treti pranë lulishtes “1 Maji” në Tiranë. Në fjalën e tij, pas hekurave të kafazit të gjykatës, pendesë ka shfaqur edhe i dyshuari tjetër, Vasiel Çavo.

Me kërkesën e prokurorisë, gjykatësi Artur Gaxhi caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj dy të dyshuarve, për vrasjen e kryer në bashkëpunim, në dëm të Kevin Rugovës e Aurora Oskian, si dhe plagosjen e një të treti, Elvis Gaçajt.

Në gjykatë, Sael Sulaj ka sqaruar se “prej disa kohësh, Elvis Gaçaj na ofendonte e poshtëronte”, por pa dhënë arsye përse ndodhte një gjë e tillë. Ndërsa ka mohuar të kishte dijeni se në makinë me të ndodheshin dhe tre persona të tjerë, dy prej të cilëve mbetën të vrarë.

“Ne kishim punë vetëm me Gaçajn. Nuk kishim dijeni që në makinë ndodheshin dy persona të tjerë”, – ka theksuar Sulaj. Por, përveç Sulajt dhe Çavos, prapa hekurave do të qëndrojë edhe Elvis Gaçaj, i mbijetuari i atentatit, ndaj të cilit për momentin është ngritur akuza e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.

Gaçaj akuzohet për një sasi droge dhe një peshore, që policia gjeti në banesën e tij pas atentatit ku mbetën të vrarë Klevis Rugova dhe Aurora Oskian, që ndodheshin në makinën e tij. Masa e sigurisë për Gaçajn është zhvilluar në Spitalin e Traumës, ku u transferua pas ngjarjes, për shkak se mbeti i plagosur në atentatin e kryer nga Çavo dhe Sulaj.

Kjo nuk është hera e parë që 40-­vjeçari Elvis Gaçaj i shpëton atentatit. Në dy vjet ai u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, por, ndryshe nga ai i dy ditëve më parë, sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Në të parin u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu dhe atentati nuk u realizua. Grupi i hetimit ka zbuluar se Elvis Gaçaj ishte drejtues i një grupi që shpërndante drogë në Tiranë.

Ai kishte pasur përplasje të vazhdueshme, sipas policisë, me shtetasit Vasiel Çavo dhe Sael Sulaj. Për shkak të këtyre përplasjeve, në prill 2015, Gaçaj i kishte dhunuar dy të rinjtë, duke u bërë shkak kështu për reagimin e tyre me planin e hakmarrjes.

Në pohimet paraprake pas arrestimit, Elvis Gaçaj, sipas hetuesve, ka mbajtur qëndrim mohues. Gaçaj ka pretenduar se të shtënat mbi makinën e tij kanë qenë një ngatërresë dhe se personat e arrestuar për atentatin nuk i njeh dhe nuk ka ndonjë lidhje me ta./GSH/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat