Detajet e operacionit në Shkodër, Arishta refuzoi edhe thirrjet e motrës për t’u dorëzuar

Kronikë e zezë

Detajet e operacionit në Shkodër, Arishta refuzoi edhe thirrjet e motrës për t’u dorëzuar

Më: 5 tetor 2015 Në ora: 08:10

“Panorama” zbardh detajet e operacionit për kapjen e autorit të vrasjes së komandantit të FNSH-së, qe u mbyll dje pas 12 orësh me ekzekutimin e tij.

Një operacion tejet i vështirë dhe sipas specialistëve të policisë, nuk kishte ndodhur tjetër herë që një personazh pa precedentë të mëparshëm të bënte kaq rezistencë.

Ruzhdi Arishta, 56 vjeç, u qëllua për vdekje rreth orës 07:10 të mëngjesit të djeshëm, plot 12 orë pasi ai shkaktoi ngjarjen e parë, plagosjen e fqinjit të tij vetëm 21 vjeç. Më pas, ai ekzekutoi komandantin e forcave të FNSH-së, Simon Gjeta, i cili në krye të grupit të gatshëm tentoi ta arrestonte brenda banesës, në Obot të Ri.

Ndonëse në fillim u dyshua se Gjeta nuk ishte i pajisur me veshje antiplumb, kolegët e tij thanë dje të kundërtën. Sipas tyre, 49- vjeçari Gjeta kishte eksperiencë për raste të tilla dhe fillimisht i ka bërë thirrje 56- vjeçarit Arishta që të dorëzohej. Kur nuk mori përgjigje, ai shkelmoi derën e shtëpisë, por u qëllua me breshëri plumbash, 3 prej të cilëve në qafë e kokë. Plumbat e lëshuar mbi komandantin Gjeta ishin vetëm një pjesë e arsenalit që Arishta mbante në banesën e tij. Që nga ky moment ai është rrethuar për të qëndruar i tillë deri në të gdhirë të ditës së diel.

SHKËMBIMI I ZJARRIT

Kur forcat speciale rrethuan banesën e Arishtës, pas vrasjes së komandantit Gjeta, ata menduan se pas disa të shtënave, autorit do t’i mbaroheshin fishekët. Por e kishin nënvlerësuar. Për orë të tëra, 56-vjeçari ka mbajtur në tension mbi 200 forca policie dhe drejtuesit e saj që kishin rrethuar fshatin, duke bllokuar edhe rrugën nacionale nga Shkodra drejt kufirit të Muriqanit.

Herë pas here ai qëllonte me fishekë tek, duke bërë që forcat e policisë të mendonin se kishte vrarë veten. Kjo mënyrë është përdorur disa herë prej tij, me qëllim futjen në kurth të efektivëve të tjerë të policisë, që rrezikuan jetën ashtu si dhe komandanti Simon Gjeta. Dyshohet se mbi 200 gëzhoja të jenë derdhur nga arma e Arishtës, ndërsa në banesë ai mbante dhe granata, por që nuk ka arritur t’i ndezë kundër policisë. Duke filluar nga mesnata e së shtunës, policia ka vepruar duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të banesës së 56- vjeçarit. Megjithatë, autori arriti t’ia dilte.

Ai mësohet se kishte përdorur një batanije, si dhe një peshqir të lagur që të rezistonte ndaj gazit lotsjellës. Pas mesnate Arishta ishte i fshehur në një aneks të shtëpisë së tij me 4 dhoma, duke e bërë tepër të mbrojtur nga sulmi i policisë, edhe në rastin kur godina ku jetonte u shemb gati në gjysmën e saj. Disa herë u mendua se ai mund të ishte arratisur, duke kaluar nga pjesa e pasme e shtëpisë, drejt malit, ku dhe kishte një barake të tijën. Por në orët e para të mëngjesit thirrjes së policisë për t’u dorëzuar ai i përgjigjej me shkëmbim zjarri.

EKZEKUTIMI

Në orët e natës policia e ka pasur të vështirë të vepronte nisur edhe nga errësira që mbizotëronte në fshat dhe në vetë banesën e Ruzhdi Arishtës, i cili i kishte fikur me dashje dritat. Gjithashtu, rrezikshmëria e tij u bë e qartë gjatë orëve kur u rrethua dhe nuk bindej të dorëzohej.

As e motra që jeton në të njëjtën zonë nuk arriti ta bindte, madje ajo mori përgjigjen se nëse do të afrohej, do ta hidhte të vdekur. Me durim forcat e policisë pritën deri në mëngjes herët, kur me dritën e agimit të kryenin veprime konkrete. Tre prej specialëve të RENEA-s, të supermbrojtur me pajisje antiplumb janë futur në banesën e Ruzhdi Arishtës.

Ata i ndiqte një koleg me qen dhe një tjetër me kamera termike që të mund të dallonte në brendësi të banesës. Sapo i janë afruar një aneksi ku strehohej 56-vjeçari, ai ka qëlluar sërish me breshëri. Ky ishte dhe momenti final, kur RENEA ka qëlluar pa ndërprerje drejt personit.

Burime nga grupi i specialëve thanë se gjuajtjet kanë qenë të panumërta dhe fillimisht u dyshua se mund të kishte persona të tjerë të lënduar. Pas disa minutash është dalluar i shtrirë përtokë Arishta dhe është konfirmuar vdekja e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat