Vrasja e dyfishtë në Tiranë, familja e Kevin Rugovës: Policia s’ka justifikim, ngjarja pak metra larg tyre

Kronikë e zezë

Vrasja e dyfishtë në Tiranë, familja e Kevin Rugovës: Policia s’ka justifikim, ngjarja pak metra larg tyre

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 07:51

Lajmi për vrasjen e dy të rinjve dhe plagosjen e një të treti mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet tmerroi gjithë Tiranën, por më tepër familjarët dhe njerëzit që i kishin njohur ata nga afër. Në shtëpinë e 22-vjeçarit Kevin Rugova, i cili mbeti viktimë në atentat, tri ditë pas fatkeqësisë dyert qëndrojnë të hapura.

Familjarët presin ngushëllime nga gjithë të njohurit dhe miqtë e tij. “Kevini ishte i dashur, kishte shumë shokë. Kjo ndoshta ishte edhe fatkeqësia e tij, sepse kishte shokë të mirë dhe jo të mirë. Dhe të enjten, për fatin e tij të keq, u gjend në momentin e gabuar, në makinën e gabuar. Nëse nuk do të kishte qenë në atë makinë, sot do të ishte gjallë dhe as policia apo edhe persona të tjerë nuk do të vinin ta kërkonin Kevinin. Ai ishte djalë i rregullt dhe nuk ishte përzier me asgjë të paligjshme”, tregojnë familjarët.

Sipas tyre, 22-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga Turqia, ku punonte në një agjenci turistike. “Nuk është aspak e vërtetë ajo që ka thënë policia. Në shtëpitë ku jetonte Kevini nuk është kryer asnjë kontroll nga policia dhe si rrjedhojë nuk ka gjetur asgjë të jashtëligjshme. Kevini ishte një djalë shumë i dashur dhe i kulturuar. Ai mbeti viktimë e rastësisë, pasi nuk ka qenë i ngatërruar me asnjë njeri, nuk ka pasur konflikte. Mund të quhet edhe viktimë e paaftësisë së Policisë së Shtetit, e cila lejon që njerëz me armë të dalin e të qëllojnë 29 herë vetëm 100 metra larg Drejtorisë së Policisë dhe autorët të largohen pa u hyrë gjemb në këmbë. Policia të mos justifikojë paaftësinë e saj, duke e paraqitur çdo vrasje si përplasje bandash për pazaret e drogës”, vazhdojnë më tej ata.

Familjarët tregojnë se 22-vjeçari vazhdonte studimet për “Menaxhim Turizmi” në Durrës dhe kishte punuar me agjenci prestigjioze turizmi në Turqi. Kishte pak javë që ishte kthyer në Tiranë, për shkak të falimentimit të agjencisë ku punonte së fundmi. Familja nuk di të thotë se pse Kevin Rugova ishte në atë makinë dhe çfarë marrëdhënieje ka pasur me personat që shoqërohej. “Lajmi i ikjes së tij të parakohshme na ka tronditur shumë dhe ne nuk kemi pasur mundësi që të kërkojmë nga policia më tepër detaje se kush ishin personat me të cilët shoqërohej Kevini atë natë. Nga aq sa kemi dëgjuar, si emra na duken krejt të panjohur, pasi Kevini kishte një shoqëri shumë të zgjeruar. Shpresojmë që, dy personat që janë ende gjallë dhe shpëtuan në atentat të na tregojnë të vërtetën se çfarë ndodhi atë natë dhe pse u vra djali ynë”, pyesin mes dhimbjes familjarët.

Humbjen e tij e ndjenë shumë edhe miqtë dhe shokët e tij, pas të cilëve ai ishte shumë i dhënë. “Kevi nuk është marrë kurrë me punë të pista. Gjithmonë vinte shoqërinë para vetes, dhe prej shoqërisë Kevi përfundoi aty ku është sot, sepse nuk diti të rrinte larg njerëzve që mund t’i hapnin telashe”, thanë ata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat