Vrasja e çiftit në Tiranë: Pamjet dhe detajet nga Policia (Foto/Video)

Kronikë e zezë

Vrasja e çiftit në Tiranë: Pamjet dhe detajet nga Policia (Foto/Video)

Më: 2 tetor 2015 Në ora: 08:44

(E plotësuar) Policia e Tiranës publikoi disa detaje të reja të atentatit të ndodhur mbrëmë në orën 20:00, në zonën e lulishtes “1 Maji”, ku mbetën të vrarë 2 persona dhe u plagos një tjetër.
Policia ka konfirmuar se kallashnikovi i gjetur në Lanë është përdorur në atentatin e mbrëmshëm.

Gjithashtu ajo tha se shtetasi i cili ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje, Elvis Gaçaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, rezulton me precedent të mëparshëm penal për një sërë veprash penale të dokumentuara si: “Vrasje”,”Grabitje”, si edhe për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Nga kontrolli i ushtruar nga forcat e Policisë në banesën e shtetasit Kevin Rugova, 23 vjeç, banues në Tiranë, ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël kokainë.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja armë zjarri pistolete tip TT, si edhe 23 gëzhoja armë zjarri automatik, shkruan lapsi.al.

Siç raportojnë mediat shqiptare, dy persona janë vrarë me armë zjarri rreth orës 20:00 në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lulishtes “1 Maji”.

Sipas të dhënave të para, raporton shekulli, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri tip "Kallashnikov" në drejtim të makinës tip BMW me targa AA 675 JS, ndërsa mjeti ishte në lëvizje.

Për pasojë kanë mbetur të vdekur një djalë dhe një vajzë, që më vonë u identifikuan si Aurora Oskyan dhe Kevin Rugova, ndërsa është plagosur Elvis Gacaj.

Dy të parët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i plagosuri është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e vrasjes, makina ka qenë në lëvizje dhe drejtohej nga Elvis Gacaj, ndërsa Aurora Oksyan dhe Kevin Rugova kanë qenë pasagjerë.

Forca të shumta policore shkuan në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë.

Gjithashtu, disa postblloqe janë ngritur në pika të ndryshme të kryeqytetit, për të kapur autorët.

Ja detajet e reja të krimit që tronditi Tiranën ku u vranë dy të rinj

Ekzekutohen me disa plumba kallashnikovi Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, ndërsa mbeti i plagosur Elvis Gaçaj. Viktimat pa precedentë penalë, ndërsa po hetohet e kaluara e të plagosurit, i cili rezulton me precedent penal dhe ka qenë edhe më parë objekt sulmi me eksploziv. Dëshmitarët: Lëvizja e dyshimtë e një motori dhe dy persona që u larguan me shpejtësi

Plumbat e kallashnikovit vrasin dy persona dhe plagosin rëndë një tjetër. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:43 të mbrëmjes së djeshme, pas lulishtes “1 Maji” në kryeqytet. Sipas policisë së Tiranës, viktimat janë Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, ndërsa i plagosur rëndë mbeti Elvis Gaçaj. Prita iu bë pikërisht në një kthinë pranë hyrjes së një pallati, teksa të tre gjendeshin në një automjet tip ‘BMW’ seria 5, ngjyrë gri, me targa AA 675 JS. Atentati dyshohet se është kryer nga dy persona, që u larguan në drejtime të ndryshme për t’iu shmangur arrestimit.

Ngjarja

Nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes mësohet se pati të shtëna të zgjatura të një arme kallashnikov me breshëri, më pas thuajse menjëherë pas pushimit të tyre edhe disa të shtëna të tjera pistolete. Ngjarja ndodhi në momentin që shumë qytetarë gjendeshin pranë lulishtes “1 Maji”, por janë të pakët ata që mund të japin të dhëna mbi autorin, pasi gjithçka ndodhi shpejt dhe rruga ku ndodhi krimi është pa shumë ndriçim. Pikërisht nga kjo përfituan edhe autorët. Ndërsa policia ka mbërritur rreth dhjetë minuta pas ndodhjes së krimit dhe po kontrollonte pranë lumit Lanë, pasi ka të dhëna se autori mund të ketë hedhur armën kallashnikov aty. Dëshmitarë të tjerë shprehen se një djalë i ri largohet për nga tregu, por pa armë në duar dhe futet mes pallateve duke lëvizur në këmbë. Pa kaluar gjatë, një motor me ngjyrë të zezë lëviz aty pranë dhe me shpejtësi pasi del në unazë kthehet për nga rruga që të çon pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Në automjetin ku ndodheshin viktimat u mblodhën një numër i madh personash, ndërsa i plagosi qëndroi për pak minuta i shtrirë në tokë dhe më pas u transportua drejt Spitalit Ushtarak. Si pasojë e plagëve të marra kanë mbetur të vdekur në vend 30-vjeçarja Aurora Askian dhe i riu 22-vjeçar Kevin Rugova, ndërsa 40-vjeçari ka plagë në pjesën e barkut. Sipas policisë, mësohet se asnjë prej dy personave të dyshuar si atentatorë nuk ishin të maskuar, ndoshta për të mos rënë në sy si autorët e ngjarjes. Ndërsa po verifikohen tri kamera të bizneseve pranë për të parë lëvizjet e autorëve me shpresë se do mund të identifikohen.

Hetimet

Sipas të dhënave të policisë dyshohet se objekt i atentatit ishte Elvis Gaçaj personi që mbeti i plagosur. Ai në skedat policore figuron person me precedentë të shumtë penalë, pasi është dënuar më parë për vrasje dhe plagosje. Atentati ndaj tij mund të jetë për hakmarrje ose për prishje të pazareve të trafiqeve të ndryshme. Në vitin 2008, ai i ka mbijetuar një atentati me të, kryer me shpërthim ekskluzivi pranë shkollë “Petro Nini Luarasi”. Gaçaj fillimisht është dënuar për vrasje në vitin 1992, pasi ka vrarë aksidentalisht me thikë shokun e tij. Duke e goditur në njërën kofshë, i ka prerë arterien kryesore dhe ai ka gjetur vdekjen në spital. Për këtë ngjarje Gaçaj u dënua me 14 vjet burg, por ai nuk mbeti vetëm me këtë procedim, pasi u arrestua më 26 korrik të vitit 2008, pasi kishte plagosur shtetasin Sefer M. Të shtënat tregojnë se kanë ardhur ballazi automjetit dhe ngjan se objektivi ishte Gaçaj, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ndërsa plumba vdekjeprurës morën dy pasagjerët, vajza që ishte në sediljen e parë dhe djali që gjendej pas. Ndërsa të shtënat e tjera të ndodhura pas asaj me kallashnikov po verifikohen nga policia për të kuptuar nëse në vendin e ngjarjes ishin dy autorë që zunë pritë, apo ka pasur shkëmbim zjarri.

Vrasja e çiftit në Tiranë, dyshohen çështjet e drogës

Vrasje për pazare droge është një nga pistat e policisë për atentatin e mbrëmshem në Tiranë, ku u ekzekutuan brenda makinës luksoze Aurora Oskian dhe Kevin Rugova.

“Panorama” shkruan sot se nga veprimet paraprake hetimore, ekzaminimi i provave në vendngjarje dhe nga e shkuara e personave që u bënë objekt i këtij atentati, Policia ka ngritur tri pista hetimi.

Nisur nga e kaluara, si person me precedentë të mëparshëm kriminalë, burimet thanë se objektiv i këtij atentati ka qenë shtetasi Elvis Gaçaj, i cili mbeti i plagosur.

Një nga pistat lidhet pikërisht me të shkuarën e tij. Ndërsa po i kushtohet rëndësi edhe një piste tjetër që lidhet me viktimën Kevin Rugova, që sipas Policisë kishte bërë një sherr me një mikun e tij disa ditë më parë për çështje droge.

Burimet thanë se kjo pistë përforcohet edhe nga identifikimi i një autori të mundshëm, i cili rezulton shok i Rugovës. Nga ana tjetër, nisur nga mënyra se si është qëlluar dhe për faktin që pjesa më e madhe e plumbave të automatikut janë shkrepur mbi trupin e 29- vjeçares Aurora Oskian, burimet dyshojnë edhe për ndonjë sulm për motive xhelozie, apo edhe për diçka më të rëndë se kaq, nisur nga disa sende që asaj i janë gjetur në çantë.

Burimet thanë se Oskian kishte me vete një biletë udhëtimi për në Londër, vend ku shkonte shpesh pasi kishte familjen atje, si dhe një faturë banke, që tregonte për një shumë të konsiderueshme parash që ajo kishte tërhequr dje.

Kjo i ka orientuar hetuesit edhe drejt një linje të mundshme trafikimi dhe pastrimi parash, megjithatë ende nuk është tërësisht e sqaruar.

Lexo poashtu:

Krisma armësh në Tiranë, humbin jetën dy të rinj, plagoset një i tretë (Foto)

Atentati në Tiranë, ja i riu që humbi jetën (Foto)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat