Sherr masiv në Lac, plagosen 6 persona/Deputeti Armando Prenga shoqërohet në polici. Basha: Po manipulohen provat

Kronikë e zezë

Sherr masiv në Lac, plagosen 6 persona/Deputeti Armando Prenga shoqërohet në polici. Basha: Po manipulohen provat

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 10:14

Një sherr masiv me të paktën 6 të plagosur, dy prej të cilëve raportohen në gjendje të rëndë ka ndodhur përpara komisariatit të Policisë së Lacit. Burime jozyrtare shprehen se të paktën dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e traumës në Tiranës. Policia e Shtetit ende nuk ka dalë me ndonjë komunikatë zyrtare për ngjarjen, por drejt Lacit janë nisur dhe janë instaluar rreth 60 efektivë të forcave special RENEA.

Nga të dhënat e para mësohet se konflikti ka ndodhur mes familjeve Cali dhe Prenga, ndërsa si shkak mendohet se është pronësia mbi lagunën e Patokut.

Policia ka shoqëruar deputetin socialist Armando Prenga, i cili është transportuar drejt Tiranës, ku pritet të merret në pyetje në lidhje me konfliktin, ndërsa po hetohet nëse ai ka qenë apo jo i përfshirë në të. Mes personave të plagosur raportohet se është edhe vëllai i deputetit socialist, Valentin Prenga.

Policia ende nuk ka vënë në pranga asnjë person të dyshuar, ndërsa Partia Demokratike akuzoi për manipulimin e provave.

Lideri i opozitës Lulzim Basha akuzon se Policia e Shtetit është duke u munduar të manipulojë ngjarjen duke mos bërë me faj deputetin Armando Prenga për përleshjen para komisariatit në Kurbin. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kreu demokrat Basha thotë se ky “terr informativ” (duke iu referuar mungesës së informacioneve të detajuara në lidhje me ngjarjen) vjen me urdhër të kryeministrit Rama.

“Lajm trondites nga Laci. Në orët e para të mëngjesit deputeti socialist Armando (Edmond) Prenga, ka plagosur me armë zjarri katër persona të familjes Cali brenda në ambjentet e Policisë. Me urdhër te Edi Rames dhe ministrit të tij të drogës Sajmir Tahiri policia ka vendosur një shtetrrethim të vërtetë tek spitali dhe ka nisur manipulimin e provave dhe dëshmitarëve që të mbulojnë ngjarjen. Largimi i krimineleve nga Kuvendi dhe Qeveria më urgjentë se kurrë”, shkruan Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat