Zhduket një vajzë 18 vjeçare, babai ka frikë se ajo mund të trafikohet

Kronikë e zezë

Zhduket një vajzë 18 vjeçare, babai ka frikë se ajo mund të trafikohet

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 15:00

Një baba është vënë në alarm në Shkodër pasi vajza e tij është zhdukur dhe dyshimet janë të forta se ajo mund të trafikohet jashtë shtetit me qëllim për t’u shfrytëzuar si prostitutë.

A.K., 40 vjeçar me banim në fshatin Shtoj i Ri pranë qytetit Shkodër, ka denoncuar në policinë lokale, se vajza e tij 18 vjeçare është larguar nga banesa në drejtim të paditur.

Një burim zyrtar i Policisë së Shtetit i tha NOA-s se pas kallëzimit të bërë nga 40 vjeçari, “vajza dyshohet se mund të trafikohet për jashtë shtetit me qëllim për t’u shfrytëzuar”.

Duket se babai i të resë e ka vënë gishtin te një djalë që sipas tij është përfshirë në zhdukjen e të bijës dhe planin për ta bërë prostitutë.

“Filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F.H, 28 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri”, - konfirmon policia e Shtetit lidhur me rastin delikat të largimit pa lënë gjurmë të adoleshentes shkodrane.

Çfarë parashikon Kodi Penal për akuzën që ngrihet ndaj 28-vjeçarit

Neni 110/a Trafikimi i personave (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 1)

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga dy milionë deri në pesë milionë lekë. Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të personave dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga shtatë milionë deri në dhjetë milionë lekë. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat