Vëllavrasja në Has, paraburgim për shtatë familjarët Likaj

Kronikë e zezë

Vëllavrasja në Has, paraburgim për shtatë familjarët Likaj

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 13:11

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve H. Likaj, Sh. Likaj, H. Likaj, I. Likaj, Z. Likaj dhe Sh. Likaj, të gjithë nga fshati Krajk i Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” dhe F. Likaj nga fshati Krajk, Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

“Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 31.08.2015 dhe do të zgjasë deri më datën 30.09.2015, deri në ora 18:00”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj.
Mbajtjen në paraburgim të të pandehurve e kërkoi Prokuroria e Shtetit.

Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal të Kosovës, se më 31 gusht 2015, rreth orës 14:35 minuta, në fshatin Krajk të Prizrenit, me dashje dhe paramendim e privojnë nga jeta vëllain e tyre, përkatësisht axhën e tyre Kujtim Likajn.

Gjatë një konflikti fizik të armatosur me të ndjerin, si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme familjare në mes vete, të pandehurit paraprakisht e sulmojnë fizikisht, më pas e qëllojnë katër herë në trup me armë të zjarrit, njëherazi me pistoletë të tipit “Crvena Zastava 99”, pistoletë e tipit “TT-M57” të kalibrit 7.62 mm, dhe pistoletë tjetër po ashtu “Crvena Zastava 99” e kalibrit 9 mm, ku si pasojë e plagëve të marra në trup nga armët, i ndjeri nuk mundi të mbijetojë.

“Duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, pasojat e të cilave kanë përfunduar në fatalitet, veprat penale janë kryer me pjesëmarrjen e shumë personave, ku janë përdorur armë dhe mjete të ndryshme, ka shumë të lënduar, duke pasur parasysh faktin se që të dy familjet jetojnë në të njëjtën lagje dhe janë në të njëjtën familje vëllezër dhe të ndjerin e kanë pasur xhaxha, caktimi i paraburgimit në këtë fazë të procedurës paraqitet më së i nevojshëm dhe i bazuar”, tha Kicaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat