Bashkim Kopliku: Si dënuam me vdekje vëllezërit Çuko në Libofshë më 1992-n

Kronikë e zezë

Bashkim Kopliku: Si dënuam me vdekje vëllezërit Çuko në Libofshë më 1992-n

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 23:12

Ekzekutimi i dy vëllezërve nga Libofsha katër muaj pas fitores së PD si e fundit e sistemit komunist dhe e demokracisë

 

Prej disa javësh në rrjetet sociale është hapur një debat lidhur me atë që ndodhi në vitin 1992, kur dy persona u varën në mes të qytetit pasi kishin kryer një krim makabër, duke vrarë një familje. Debati natyrisht fokusohet në atë që i ndodhi krimineleve, por më shumë mënyra se si ata u egzekutuan. Ju keni qenë minister i brendshëm dhe kjo ngjarje natyrisht që ka pasur edhe debate në atë kohë. Çfarë ndodhi realisht z. Kopliku?

Me siguri bëhet fjalë për ekzekutimin me varje të dy vëllezërve Çuko, të kryer me datë 25.6.1992, në qytetin e Fierit, mbi bazën e vendimit të Gjykatës.

Që lexuesi i sotëm të mund të kuptojë se çfarë ka ndodhur, duhet të dijë disa fakte dhe më duhet t’i kujtoj disa gjëra, që janë bazë për të qenë në gjendje për t’u futur në mentalitetin, në psikozat e periudhës kur është kryer ky ekzekutim. Në katër pikat në vijim, po rreshtoj më kryesoret:

A-Ekzekutimi në fjalë, është bërë pas një proçesi gjyqësor të standardeve evropiane, ku të akuzuarit janë mbrojtur me avokat, ku nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në proçesin gjyqësor, as nga Ministria e Rendit Publik (siç quhej MPB në atë kohë) dhe as nga organet e partisë, të PD-së . Vendimi për ekzekutimin e tyre është bërë publik, sa që nga gjithë bota kanë arritur me dhjetëra protesta me shkrim për të mos ekzekutuar vendimin, një pjesë e të cilave më janë drejtuar edhe mua personalisht si ministër i brendshëm, sepse ata që shkruanin nuk e kishin të qartë se tashmë Shqipëria nuk ishte më ai vendi komunist, e ministri i brendshëm nuk pyetesh më fare se çfarë dënimi do të merrnin kriminelët që kapte dikasteri që ai drejtonte.

B-Fare pak vite përpara vitit 1992, në Shqipërinë komuniste, gjykimet për këto lloj krimesh bëheshin pa avokat, dhe gjykata orientohesh pothuaj në mënyrë institucionale, nga PPSH (Partia e Punës, pra komuniste, e Shqipërisë), dhe edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sa për ilustrim, po ju bie faktin se në Shqipërinë e para vitit 1990, një herë në javë sekretari i parë i PPSh-së së rrethit përkatës, mblidhte gjykatësit në zyrën e tij; në këtë takim gjykatësit merrnin orientime (në fakt urdhra) për “politikën penale” (në fakt për dënimet që duhet të jepnin). Ka pasur disa ekzekutime me vrarje në Shqipërinë komuniste në fund të viteve 80’, edhe këtu në Durrës, në Shkozet, ku u pat organizuar nga PPSH, edhe një këqyrje “e detyruar” e kufomave, mbi bazë qendra pune, një pelegrinazh gjigand makabër, me këmbë, nga dhjetëra mijëra qytetarë të Durrësit.

C-PD kishte fituar zgjedhjet e vitit 1992, ku një ndër detyrimet kryesore që kishte, ishte vendosja e rendit publik: prandaj dhe ministri i brendshëm, në atë kohë ishte njëkohësisht edhe zëvendës kryetar i qeverisë. PD erdhi në pushtet kur vendi, Shqipëria, ishte nën terrorin e të shtënave të armëve sidomos natën; njerëzit edhe në Tiranë kishin frikë të dilnin nga shtëpia kur erresh; kishte organizime bandash nëpër qytete; një kastë e lidhur me regjimin e vjetër të rrëzuar, ishte e armatosur me armë “me leje”; vjedhjet dhe aktet barbare bëheshin në sytë e policisë që ishte nën trysninë e demonstratave politike që kish mbizotëruar jetën politike në periudhën 1990-1992, gjë qe ulte i policisë efikasitetitn e punës. Të gjitha këto u zhdukën si probleme, në më pak se 12 muaj, gjendja në Shqipëri u kthye në krejt normale.

D-Populli e mirëpriste në shumicë ekzekutimin e Fierit. Për vite me radhë, është përmendur me nostalgji, si “shembull i mirë”, në biseda e në media, ekzekutimi i Libovshës. Unë personalisht kam qenë gjithnjë, në princip, kundër ekzistencës së dënimit me vdekje, por natyrisht dija të ndaja bindjet e mia personale dhe detyrimin për të zbatuar ligjet e vendit tim që në atë kohë, po e përsëris, ishin në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, të kohës. Më vonë, në Shqipëri u hoq dënimi me vdekje, ku pretendoj se në këtë heqje kam pasur kontributin time dhe unë si një politikan i lartë i PD-së. Në këtë qëndrim ka luajtur rol edhe Ekzekutimi në fjalë Kanë qenë tronditëse disa shkrime të avokatëve të të ekzekutuarve, në të cilët pretendohej se nuk ka qenë i njëjtë faji i të dy vëllezërve, pra që njëri nga vllezërit mbase dhe mund të mos dënohej me vdekje- kjo është një nga të këqijat e “dënimit me vdekje”: nuk korrigjohen dot gabimet eventuale, që historia tregon se kanë ndodhur në vende me sistem gjyqësor perfekt, e jo më në Shqipëri….

 

Shumë nga qytetarët atëherë po edhe tani në rrjetet sociale, e kanë parë këtë gjarje më shuëe se sa ndeshkim për një krim, si një “paralajmërim” të qeverise demokratike për të qetesuar situatën në vend, që falë dhe ndërrimit të sistemit po edhe pushteteve kërkonte të jepte mesazhe në këtë drejtim. Pra a është e vërtetë se dënimi edhe pse ishte një instuitucion qe nuk varej nga ju, nuk kishte prapavije politike?

Nuk ka pasur prapavijë politike: PD kishte ardhur në pushtet për të vendosur rendin duke zbatuar ligjet demokratike botërore, dhe jo me mënyra komuniste apo nazisto-fashiste. Zbatimi i ligjit, në periudhën në fjalë, 1992, ka qenë kërkesa kryesore jo vetëm në ministrinë e brendshme, por ka qenë frymë e PD-së së kohës, që nga presidenti i kohës Sali Berisha, e deri poshtë. Mua si ministër më është dashur shpesh të bëj të kundërtën e asaj që aludoni ju me pyetjen tuaj: u jam kundërvënë presioneve “popullore” për të shkelur ligjet e kohës për të luftuar krimin, për “të qenë më efiçient në shtypjen e krimit”. Vinin miq e shokë e më “këshillonin” të organizoja skuadra “vrasësish ligjor”, pra organizma policore të ngarkuar me detyrën të vrisnin kriminelët rrugës, pa kaluar në hallkat “e ngadalta” të drejtësisë që kërkonte zbatimi i ligjit. Nuk ka qenë e lehtë t’u mbushja mendjen se e kishin gabim!!!

Natyrisht, psikoza e kohës ndikon tek çdo njeri, dhe mundet që ka ndikuar edhe tek gjykatësit që kanë dhënë dënimin, por ama jam i sigurt që dënimi është dhënë sipas normave demokratike të kohës.

 

Në Shqipërinë e atyre viteve, pra kur ju ishit minister i brendshëm ka pasur edhe ngjarje të tjera të renda, por asnjëherë nuk pati një ndeshkim të tillë, ndryshoi ligji, apo ju kuptuar se shembuj të tillë nuk funksiononin më?

Vitet e para, Shqipëria postkomuniste ka ecur me një shpejtësi marramendëse drejt standardeve më demokratike të botës. Vitet e para të periudhës 1992-1994, do t’i quaja periudha “e artë e PD-së”, e cila u mbyll përfundimisht me humbjen e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës, në fund të vitit 1994. Pjesë e këtij përparimi demokratik ka qenë edhe ulja e dënimeve: gjërat zgjidhen më mirë me dënime të lehta, por të dhëna për këdo që kryen krim, apo shkelje, dhe me rehabilitimin ligjor që duhet të pasojë kryerjen e dënimit. Pjekja politike e shumë njerëzve gjatë kësaj periudhe, si nga PD, si dhe nga PS, më vonë shpuri në heqjen fare të dënimit me vdekje në Shqipëri, si në shumicën e shteteve të botës.

 

Kane kaluar më shumë se dy dekada nga kjo ngjarje, a e keni menduar se jeni ministri i fundit, por i pari në një qeveri demokratike që keni përjetuar një egzekutim të tillë, që modelin e kishte në pragun e viteve 90, kur ekzekutime të tilla kishin ndodhur në disa qytete kryesore? Pra ju huazuat një vendim qe e la një sistem që mendoi se mund ti friksonte njerëzit për të rujatur sistemin, por edhe një vendim që ka mbetur si i tillë në opinin për të trembur njerëzit nga një sistem i ri.

Siç ju shpjegova më lart, në një vend demokratik, ministri i brendshëm ka rol në kapjen e kriminelëve, në parandalimin e krimit etj., por nuk ka asnjë rol në dënimin e kriminelëve. Pra unë nuk kam asnjë “gisht” në dënimin e dy kriminelëve në Fier, e në asnjë dënim tjetër.

Patjetër që ju keni të drejtë se Shqipëria ishte në një proçes tranzitor, dhe shumë mendësi, por edhe ligje, nuk ishin shkëputur tërësisht nga “sistemi i vjetër”, ai komunist, nga i cili sapo kishim dalë.

Por mentalitete, apo siç thoni ju, huazime, të tilla ka akoma sot: vetëm para pak vitesh, mbase 4 vjet përpara, akoma dilnin në shtyp thirrje si “ah, ç’ia bëri mirë Kopliku, atyre kriminelëve të Fierit”, kështu do vazhduar edhe sot!

 

Zoti Kopliku, a e keni menduar ndonjehere si ish funksionare i lartë i qeverisë në atë kohë këtë egzekutim edhe pse ka qenë një organ tjetër që ka dhënë vendimin dhe a ju është dukur ndonjëherë se ky ka qene një vendim që ka paralajmëruar me dashje një klasë politike të dhunshme që e kompeson paaftësinq e saj me metoda komuniste?

Absolutisht jo. Klasa politike filloi të bëhet e dhunshme, me shpejtësi marramendëse, kur idealet e ndryshimit të Shqipërisë filluan të zëvendësohen me dëshirat e pasurimit individual në shkelje të ligjeve, mbi kurriz të të tjerëve, duke vjedhur pasurinë e shqiptarëve. Ky proçes i korrupsionit galopant filloi pas vitit 1994, pasi PD humbi praktikisht pushtetin legal, me humbjen e referendumit, siç shpjegova në përgjigje të pyetjes nr 2 më lart. Klasa politike në pushtet, PD-ja, me në kryer kryetarin e saj real, presidentin Sali Berisha, për të mbajtur pushtetin me dhunë, filloi të zëvendësojë idealistët e “fillimit të PD-së” me hajdutë, kriminelë, mashtrues. Ky fenomen vazhdon edhe sot, e fatkeqësisht nuk shoh asnjë shenjë kthese tek partia të cilës i kam përkitur nga viti 1991 deri në vitin 1997: PD vazhdon të synojë pushtetin me dhunë korruptive, e jo duke shtruar demokraci së pari të brendshme në parti, e pastaj dhe në shtet. Natyrisht që fajtori kryesor këtu mbetet populli shqiptar që e voton një parti të tillë: “çdo popull ka qeverinë (politikanët) që meriton”. Ndërprerja e këtij cikli degjenerimi duhet të vijë nga populli shqiptar: populli së pari, nuk duhet të votojë për këta lloj politikanësh, e pastaj të nxjerrë politikanët që duhet.

Nejse, mos të shkëputemi shumë nga tema juaj.

 

Aktualisht edhe pse larg kjo ngjarje është në vemendje të qytetareve. Ajo që diskutohet sot është a duhet të egzistoje vendimi me vdekje apo jo dhe si model për këtëpo shërben Evropa, kur në fakt shqiptarët kanë më shumë besim te Amerika, e cila e ka në disa shtete këtë vendim. Ju me përvojën tuaj në këtë drejtim po edhe si qytetar mendoni se rikthimi i dënimit me vdekje duhet të rikthehet dhe arsyet përse?

Do të ishte gabimi më i madh që mund të bëhej, nëse do të rikthehesh dënimi me vdekje. Mos ardhtë ajo ditë. Dënimi më i ashpër, nuk duhet të jetë vdekja por mbajtja në burg për jetë.

Vërtetë që dënim me vdekje ka në një shtet shumë të përparuar, siç është Amerika (SHBA), megjithëse edhe atje ka shtete ku nuk ka më dënim me vdekje. Vërtetë që shqiptarët kanë shumë besim tek Amerika, por mos harroni se ne jemi shumë larg Amerikës, në kryesoren që ka diskutimi: dhënësin e dënimit me vdekje, sistemin gjyqësor. Ndërsa Amerika ka sistemin gjyqësor më perfekt në Botë, ne kemi sistemin gjyqësor ndër më të këqijtë, më të degjeneruarit e Botës.

Nuk duhet të jemi aq të këqij, apo aq të trashë, sa të mendonim, me gjithë mend, rifutjen e dënimit me vdekje me sistemin gjyqësor që kemi. Kjo do të ishte një vetëvrasje mbarëpopullore, kjo do të ishte një dhënie në dorë këtyre gjykatësve, prokurorëve e avokatëve në shumicë dërmuese degjenerata, të një fabrike fitimesh korruptive kolosale: dhënien e së drejtës të japin apo mos të japin dënimin me vdekje. Me këtë drejtësi që kemi, do të vriteshin të pafajshmit, e do të liroheshin kriminelët-rezultati nuk do të ishte rritja e kriminalitetit.

Nuk ezaurohet dot përgjigjja e pyetjes suaj në një intervistë. Vetëm diçka tjetër: shumë vetë që me fjalë janë gjoja “për rifutjen e dënimit me vdekje”, në fakt nuk e kanë fjalën aty, por e kanë si një shprehje të dufit të tyre ndaj krimit të pandëshkuar si duhet, që me të drejtë shohin rreth e rrotull.

Bulevardionline.com

*Bashkim Kopliku, zëvendëskryeministër i Shqipërisë nga viti 1992 deri 1994, njëkohësisht ministër i Brendshëm nga viti 1992 deri 1993

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat