Historia e arratisjes së ish-shefit të antidrogës

Kronikë e zezë

Historia e arratisjes së ish-shefit të antidrogës

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 09:17

Ka qenë mungesa e tij në seancën e djeshme gjyqësore që ka bërë autoritet të kthejnë sytë nga Dritan Zagani, djali nga Shkodra, që drejtoi për disa muaj sektorin e anti-drogës në Policinë e Fierit.
Ai u arrestua nën akuza të rënda, por më pas, prokuroria e Krimeve të Rënda nuk mundi të vërtetonte dot, ato që kishin dokumentuar fillimisht si akuza ndaj tij dhe Gjykata ndryshoi mendim dhe vendim për një prej ekspertëve më të mirë trajnuar të luftës kundër drogës në Policinë e Shtetit.

Zagani, mësohet se ka mundur të largohet nga banesa e tij në Fier dhe ka dyshime që mund të jetë arratisur fare jashtë vendi.

Sipas të dhënave të policisë, bëhet me dije se në fakt, Zagani, i cili ishte ndër të paktët njerëz që nuk bëri asnjë ditë burg, mund të jetë larguar me gjithë familje, ndërsa pasditen e djeshme është lëshuar edhe një urdhër-arrest ndërkombëtar për të.

Në seancën gjyqësore në Gjykatën e Fierit, 43-vjeçarin shkodran e ka përfaqësuar avokati i tij mbrojtës, ku ky i fundit ka paraqitur një prokurë me anë të së cilës do të vijonte të ndiqte gjyqin.

Kështu, ish-funksionari i policisë ishte lënë në arrest shtëpie, arrest që në fakt kryhet me punonjës policie, por deri orëve të vona të mbrëmjes Policia e Shtetit nuk ka bërë me dije asnjë të dhënë për masat ndaj ruajtësve të Zaganit.

Arrestimi dhe hetimi

Ishte maji i vitit 2014, kur policia e Shtetit lajmëroi se ishte vënë në pranga një prej krerëve të anti-drogës.

Shkak i arrestimit të tij, aso kohe u tha se ishin informacionet që jepte shefi i antidrogës për policinë italiane në lidhje me lëvizjen e ngarkesave të drogës, ngarkesa që kalonin nga vendi ynë të paprekura dhe që kapeshin në brigjet italiane.

Dosja e shefit të policisë u soll te Krimet e Rënda. Ai u la në ‘burg pa afat’, por fillimin e vuajtjes së dënimit ai nuk e pati në burg si gjithë të tjerët, por në Spitalin e Burgjeve.

Me të ndryshuar vendimin gjykata për të, Zagani lë spitalin dhe vendoset në banesën e tij në qytetin e Fierit, ndërsa edhe dosja i kaloi për kompetencë gjykatës së këtij rrethi, pasi ndaj tij tashmë kishte ndryshuar akuza.

Ish-shefi i antidrogës do të gjykohej vetëm për shpërdorim detyre, seanca e radhës është zhvilluar ditën e djeshme. Tashmë emri i tij është vënë në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij ngrihet akuza tjetër; arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit të përcaktuar nga gjykata.

Historia e Zaganit me italianët e anti-drogës

Pas dështimit të policisë për të kryer operacionin blic që ishte përcaktuar në janar të 2014-ës, operacion që e kreu i vetëm zyrtari i arrestuar, mësohet se dy personat që transportonin sasinë prej 100 kg, gjatë bisedave kanë përftuar emrin e Emiliano Brahimit. Ndërkohë përgjimet e këtij të fundit kanë zbuluar edhe mënyrën se si funksiononte Dritan Zagani. Gjatë përgjimeve është mësuar se Zagani i raportonte me detaje një shtetasi italian.

Prokuroria mbante sekret emrin dhe pozicionin e italianit në këtë histori trafiku me Italinë, por bëhet me dije se ai gjendet në Shqipëri.

Prokuroria saktësonte se Dritan Zagani i raportonte për operacionin një shtetasi të huaj duke u folur për detaje të cilat nuk i ka bërë prezent as tek eprorët e tij.

Nga komunikimi, në vijim, me këtë shtetas, është zbuluar se ai merrte informacione për aktivitete të ndryshme kriminale të zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe i raportonte ato tek ky shtetas pa qenë i autorizuar për një veprimtari të tillë.

Njëkohësisht u tha se në gjurmët e Dritan Zaganit ishte rënë edhe gjatë një transferte të një shumë të madhe valute, nga Italia në drejtim të vendit tonë. Aso kohe u bë me dije se ekzistonin dyshime të forta që paratë ishin pikërisht për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike, edhe pse bëhej me dije se gjithçka për të cilën akuzohej shkodrani, zyrtar i policisë, ishte ‘shpërdorim detyre’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat