Në pranga për vjedhje të energjisë, i zbulohet arsenal armësh në shtëpi

Kronikë e zezë

Në pranga për vjedhje të energjisë, i zbulohet arsenal armësh në shtëpi

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 08:59

Një 44 vjeçar në Korçë, u pikas nga forcat policore që bashkëpunojnë me OSHEE, të kishte bërë lidhje të paligjshme për energjinë elektrike. I arrestuari është Petro Kallajxhi, 44 vjeç, banues në lagjen nr 3 në qytetin e Korçës, raporton noa.al.

“Ky shtetas, u kap duke vjedhur energji elektrike, me anë të një kabulli elektrik të lidhur në shtyllën, ngjitur me banesën e tij”, - tha zyrtarisht policia. Por një kontroll i gjerë në banesën e të arrestuarit, çoi në zbulimin dhe sekuestrimin një arsenali armësh. Policia nuk shpjegoi zyrtarisht pse gjatë një ndalimi për lidhje të paligjshme dritash, bëri edhe kontroll të imët banese, por tha se gjeti 6 armë zjarri, një silenciator, armë të ftohta si dhe 500 fishekë.

Bëhet fjalë për 6 armë zjarri, përkatësisht dy revolverë nagant, një Mauzer, një Zastava, një Brauing, 1 TT model 54, kalibri 7.62 mm, si dhe një automatik tip “Kallashnikov”. Po ashtu u gjetën edhe një silenciator pistolete, dy armë të ftohta thika gjahu, 500 copë fishekë të llojeve të ndryshme si dhe disa krehra, mbajtës fishekësh, të kalibreve të ndryshme.

Policia tha se materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat