Rrëfimi rrënqethës i 16-vjeçares: Si më çuan prostitutë në Zvicër dhe Gjermani

Kronikë e zezë

Rrëfimi rrënqethës i 16-vjeçares: Si më çuan prostitutë në Zvicër dhe Gjermani

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 19:31

Zbardhet rrëfimi rrëqethës i një 16- vjeçareje, e cila është detyruar të ushtrojë prostitucion për disa muaj me radhë në Zvicër dhe Gjermani. E dëmtuara K.Xh. ka udhëtuar me dëshirën e saj jashtë Shqipërisë në nëntor të vitit 2012. Ajo ka besuar premtimin e disa të njohurve të saj në Tiranë se do të punësohej si kameriere në lokalin e tyre në Zvicër. Por sapo ka mbërritur në këtë vend, nën kërcënime dhe dhunë fizike, është detyruar të prostituojë.

Kundërshtimi i saj i parë kur ka kuptuar çdo të ndodhte me të ka marrë si përgjigje një “nëse nuk pranon ta bësh atë punë do të q… robt, do të vras”. Dëshmia tronditëse zbardhet në vendimin e Gjykatës për Krimet e Rënda ndaj të pandehurit Emiljano Tarja, i dënuar me 15 vjet burg për akuzën e “trafikimit të të miturve”.

Në vendimin gjyqësor, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, dalin në dritë rrëfimet e bëra nga minorenia në gjykatë, në prokurori, si dhe ato të bëra para autoriteteve zvicerane pas dorëzimit. Ajo ka rrëfyer se kishte kaluar në Rinas, duke përdorur pasaportën e një personi tjetër, fotos të së cilës ajo i ngjante.

Po sipas saj, dyshimi i dy kontrollorëve të Rinasit ishte shuar me 50 euro ryshfet të dhëna nga i pandehuri Tarja, shoqëruesi i saj drejt Zvicrës. Me tej, ajo ka rrëfyer gjithë “ferrin” e përjetuar gjatë shfrytëzimit të saj për prostitucion nga dhuna dhe leksionet e tutores së saj Xhu… e deri në momentin që u dorëzua në një rajon policie.

I pandehuri Tarja u gjykua i veçuar nga dy të bashkëpandehurit e tij B. dhe Sh. S, të cilët u gjykuan me herët te Krimet e Rënda. Në vijim dëshmia e minorenes, bazuar në deklarimet e saj të administruara si provë nga gjykata.

DESHMIA
Rrugës për në aeroport E. më tha se unë do fluturoja për në Zvicër me Emilianon, ndërsa ai me X. do vinin më vonë. Isha thjesht shumë naive dhe doja të shkoja në Zvicër për të punuar, për të fituar para dhe për t’u kthyer më pas në Shqipëri. Ndaj edhe isha dakord që të fluturoja bashkë me Emilianon për në Zvicër. Në orën 14:00 kam fluturuar nga Tirana. Në 16:30 ishim në Zvicër. Na u desh të ndërronim avion në Vjenë. Në aeroportin e Tiranës pati edhe një problem, por më pas Emiliano foli me një burrë e me një grua me uniforma policie. Ai u pagoi të dyve 50 Euro. Korrupsioni në Shqipëri është shumë i madh. Ditën e parë Sh. mori në numrin e celularit të Emiljanos, ku ma kaloi mua numrin, duke më thënë që merr familjen tënde në celular dhe thuaju që je mirë, se je në Zvicër dhe se nuk do të kthehesh.

Më pas Xhu… i tha B. dhe Emiljanos që kishte gjetur një klient me moshë të madhe dhe me shumë lekë. Emiljano i tha asaj që të gjejë një klient si ky edhe për mua. Në atë moment kuptova që Sh. me Emiljanon më kishin nisur në Zvicër që unë të punoja si prostitutë. Unë e habitur e pyeta se ç’po thoshte. Ai më foli me zë dhe ton kërcënues, duke më thënë që nëse nuk pranoja ta bëja këtë punë do t’më q… robt dhe do të më vriste. Unë u tremba jashtë mase, pasi kuptova që në ato momente isha e vetme në Zvicër nën kërcënimin e Emiljanos që të kryeja marrëdhënie seksuale përmes pagesës.

Unë, Emiljano dhe Xhu… u çuam nga tavolina dhe u ngjitem për te dhoma të cilën na e tregoi Xhu… Pasi na tregoi dhomën, ajo zbriti serish te bari i hotelit. Unë u mundova në dhomë ta qetësoja Emiljanon dhe t’i mbushja mendjen që të mos më detyronte të bëja atë punë. Ai më tha që ke për ta bërë atë punë sepse ky ishte dhe qëllim për të cilin ai më ka shoqëruar në Zvicër. Atë natë kam fjetur në dhomë së bashku me Emiljanon në një krevat dhe nuk më ka kërkuar të kryej marrëdhënie seksuale, thjesht kemi fjetur gjumë.

PROSTITUIMI
Të nesërmen, nga presionet e shumta që më bënë, unë pranova që të bëja punën e prostitutës. I gjeja vetë klientët dhe për këtë më mësonte Xhu…, që t’iu afrohesha klientëve të ulur në barin e hotelit. Klientët ishin kryesisht shqiptarë kosove, por edhe nga Shqipëria, kishte dhe të huaj. Xhu… më dha gjithashtu dhe prezervativë në mënyrë që unë kur të kryeja marrëdhënie të mbrojtura. …

Nuk kisha orar fiks pune. Mund ta përcaktoja vetë se kur do zbrisja poshtë në lokal për të punuar, por më pas nuk mund të shkoja më lart në dhomë, por duhej të punoja. Poshtë zbrisja gjithmonë në orën 14:00 dhe shkoja sërish lart në orën 04:00. Në atë kohë bari mbyllej.

Kur e pyesja Xhu… nëse mund ta mbyllja punën, atëherë ajo nuk e pranonte. Nuk duhej të puthja, nuk duhej të kryeja seks oral dhe as seks të pambrojtur ose anal. 20 minuta kushtonin 100 franga; 30 minuta 150 franga; 40 minuta 200 franga dhe një orë 300 franga.. Kështu m’i tha çmimet Xhu… Kështu duhej t’ua jepja çmimet edhe klientëve. Xhu… m’i kishte shkruar ato në një fletore.

DHUNIMI
Kur erdhi Sh., unë i thashë që “nuk dua të qëndroj më në këtë vend pasi kam 10 ditë që punoj si prostitutë dhe nuk dua të punoj më, pasi ti nuk më the që unë do të punoja si prostitutë në Zvicër”. Gjatë kësaj bisede ka qenë e pranishme dhe Xhu… M. Ai më tha që ke për ta bërë dhe pikë.

Sh. më çoi në një dhomë të hotelit dhe në momentin që jam futur brenda në dhomë ka filluar të më qëllojë me grushte në fytyrë në trup dhe me çelësat e makinës. Ai kur më qëllonte më thoshte me fjalë që do të q… robt dhe se do të punoja gjithë jetën për të. Ai më shtriu në krevat dhe vazhdonte të më qëllonte me grushte.

Në ditët në vazhdim më ka qëlluar me grushte, më ka kapur për gryke, më ka vënë thikën në fyt, më ka fikur cigaren në trup, duke më vendosur cigaren në pjesën e këmbës dhe me ka goditur me çelës, aktualisht më kanë ikur shenjat për shkak të kohës. Gjatë një goditjeje me grusht në nofull, më ka thyer dhe dhëmballën në pjesën e poshtme të krahut të majtë, të cilën e kam dhe sot të pa trajtuar.

Ai më ka detyruar të përdor dhe drogë, kryesisht kokainë, të cilën e kam marrë nga hundët. Ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj meje. Sh. më ka kërcënuar gjithashtu që do të më vriste familjen time, po nuk bëra 1000 franga në natë. Në ditët në vazhdim më tha qe pse nuk e merr dhe motrën në Zvicër. Të gjithë paratë që bëja me punën me klientët unë ia jepja Sh. çdo ditë pas pune.

Kishte raste që ndonjëherë m’i merrte dhe Xhu…, e cila ia jepte Sh. Unë nuk e kam parë, por ajo kështu më thoshte. Unë kryeja marrëdhënie për çdo klient me 100 franga për raport seksual, kishte net që shkoja me 7 deri në 8 klientë.

EPISODI
Nëse unë bëja ndonjë gabim, Xhu… kishte të drejtë edhe të më godiste. Duhet të tregoj edhe një rast, të cilin pothuajse e kam harruar. Pas një farë kohe, ishte në një të premte. Në orën 04:00 kishim mbaruar punën. Unë qëndrova te bari dhe piva diçka. Shefi, njëri prej tre vëllezërve, ai që quhet M…, më propozoi që të shkonim në diskotekë.

Në bar ishte ai, një shoku i tij dhe dy a tri vajza të tjera. Njëra prej tyre ishte “Adela”, e dashura e F… Vajzat e tjera pranuan menjëherë të shkonin me të në disko. Në fillim unë nuk desha, por më pas pranova. Gjatë rrugës Xhu… mori në telefon njërën prej vajzave dhe më kërkoi mua.

Fillimisht, ajo i tha të më njoftojnë se duhej të kthehesha menjëherë mbrapsht, pasi kishte ardhur Emiljano. Kur u ktheva, si Xhu…, ashtu edhe Emiljano, ishin të inatosur. Emiljano më tha të shkoja në dhomë. Ata ishin në kuzhinë dhe unë shkova në dhomë. Më pas erdhi Emiljano dhe më shau.

Më pyeti ku kisha qenë. I thashë se kisha shkuar me të tjerët në disko. Menjëherë më pas ai më goditi, shante gjithë kohën, e më godiste gjithmonë. Faqet m’u ënjtën. Më pas, erdhi Xhu… Isha ulur mbi dysheme dhe kisha mbuluar fytyrën me duar, pasi ndihesha shumë keq. Edhe Xhu… më goditi, deri sa filloi të më rridhte gjak nga goja.

Gjatë kësaj kohe Emiljano qëndronte në dhomë dhe shikonte. Atë natë ata ma morën shpirtin. Të nesërmen Xhu… më pyeti se përse kisha shkuar me të tjerët në diskotekë. Unë kërkova falje për këtë gjë dhe e sqarova se nuk e dija që nuk lejohesha. Ajo ia tregoi edhe E…, i cili gjendej ende në Tiranë.

Përmes telefonit të Xhu…, ai më pyeti gjithashtu se ku kisha qenë. Edhe ai më shau se do ma “q… nënën”, po të kishte qenë aty. I ktheva përgjigje se nuk e dija që nuk më lejohej kjo gjë. Më tha se do flisnim bashkë kur ai të vinte këtu.

LARGIMI
Në kohën kur kam qëndruar në Hotvill së bashku me Xhu…, ajo punoi, ndërsa unë nuk punova sepse i gënjeva duke u thënë se isha shtatzënë. Ditën tjetër, unë dhe Xhu… shkuam në supermarket dhe ajo më thotë që kujdes se janë “dajat” këtu, bëhej fjalë për policat.

Unë i pashë dhe e gëzuar e pyeta se ku janë dajat. Ajo më thotë pusho se janë këtu. Pas këtij momenti, unë mendova se si të ikja, pasi kur dola jashtë pashë që ishte afër rajoni i policisë. Shkuam me të te hoteli ndërkohë që fiksova në mendjen time rrugën për të shkuar në polici. Hoteli ku isha, me rajonin e policisë, ishin 5 minuta në këmbë.

Më vonë, më thotë Xhu… që do të bëhemi gati për punë. Kur ne po bëheshim gati, rreth orës 18:00 e merr Sh. në celular dhe i thotë që të më nxirrte mua në celular. Unë i thashë çkemi, ndërsa ai më tha nëse e kam parë Xhu… duke u puthur me një djalë tjetër.

Unë i thashë që “për Zotin nuk e kam parë”. Në ato momente unë kam debatuar me Sh. Jemi sharë, dhe ai me tha që mbaje mend se çfarë do të bëj kur të vij. Në ato momente Xhu… futet për të bërë dush dhe unë duke shfrytëzuar rastin kam ikur në drejtim të policisë.

Ky ishte momenti i parë që unë shfrytëzova për të ikur. Por edhe po të mos bëja debat me Sh. në celular, unë sërish do të isha larguar në momentin e parë që do të më jepej mundësia. Pasi kam shkuar në polici, kam qëndruar atë natë dhe të nesërmen më dërguan në Zyrih, ku kam dhënë shpjegime në prani të përkthyesit për çfarë më ka ndodhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat