Eksplozivi plastik u trafikua nga Kosova, do shitej në Kamzë

Kronikë e zezë

Eksplozivi plastik u trafikua nga Kosova, do shitej në Kamzë

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 09:21

Sasia prej 30 kilogramësh lëndë plasëse dhe 45 kapsollat detonatore që u sekuestruan dy ditë më parë nga policia, dyshohet se janë trafikuar nga Kosova me qëllim shitjen e tyre në Tiranë. Policia dyshon për një rrjet të mirorganizuar që kryente trafikun e lëndëve plasëse, të cilat mund të jenë përdorur në ngjarje kriminale ende të pazbardhura.

Arrestimi i dy shtetasve me banim në Kukës, në tentativë për të shitur një sasi prej 30 kilogramësh eksploziv, ka hapur hetimet për një sërë ngjarjesh kriminale ende të pazbardhura, si dhe për një linjë të mundshme trafiku eksplozivesh.

Deri tani policia ka mundur të identifikojë katër persona, nga të cilët, dy të arrestuar dhe dy të shpallur në kërkim.

Por dyshohet se numri i personave të përfshirë në aktivitetin e shitjes së eksplozivit mund të jetë edhe më i madh.

Nga hetimi 2-mujor dhe përgjimet e kryera, policia ka të dhëna se lënda plasëse e llojit eksploziv plastik është trafikuar nga Kosova. Të arrestuarit, por edhe personat e shpallur në kërkim, dyshohet se kishin krijuar një linjë trafiku të eksplozivit, i cili më pas do të shitej në Tiranë.

Të dyshuarit kishin përcaktuar zonën e Kamzës si vendin ku do të shitej eksplozivi, por pa e ditur se kishin rënë në kurthin e policisë. Blerësi rezultoi të ishte një agjent i infiltruar, i cili pasi ka marrë informacionet e nevojshme nga të dyshuarit, ka caktuar Kamzën si vendin ku do të kryhej shkëmbimi.

Në momentin që kuksianët Sokol Sinani, 31 vjeç dhe Imerli Metaj, 37 vjeç, po nxirrnin lëndën plasëse për t’ia dhënë “blerësit”, kanë ndërhyrë agjentët e policisë të veshur civilë, të cilët prangosën të dyshuarit.

Sipas burimeve të rezervuara mësohet se në automjetin e dy kuksianëve ka qenë edhe një tjetër person, i cili dyshohet të jetë ndërmjetësi apo ai që siguronte tregun për shitjen e eksplozivit. Në rrethana ende të paqarta, ai ka mundur t’i shpëtojë policisë, edhe pse vendi ku do të kryhej shkëmbimi ishte i mbushur me dhjetëra agjentë dhe efektivë policie.

Për largimin e të dyshuarit nuk ka ende një sqarim nga policia, por prania e personit të tretë në vendin ku do të kryhej shitja konfirmohet nga burime të rezervuara.

Përveç personit që i shpëtoi policisë, nga hetimet është bërë i mundur edhe identifikimi i një personi tjetër, që dyshohet se është pjesë e rrjetit të trafikut të lëndëve plasëse.

Edhe ky shtetas është shpallur në kërkim nga policia, e cila ende nuk ka referuar materialin për arrestimet në prokurori.

Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se deri pasditen e djeshme, policia nuk kishte dërguar ende pranë organit të akuzës materialet për dy arrestet e kryera dhe lëndën eksplozive të sekuestruar. Sipas raportit zyrtar të prokurorisë, në momentin e dorëzimit të lëndës plasëse u sekuestruan 126 copë eksploziv plastik (xhelatin) me peshë të përgjithshme 30 kg dhe 45 kapsolla plasëse.

Po ashtu janë sekuestruar edhe dy aparate telefonike celulare dhe një shumë e konsiderueshme të hollash. Tashmë të dyshuarit po hetohen nëse kanë shitur edhe më parë lëndë plasëse, që mund të jetë përdorur në disa ngjarje kriminale në Tiranë e rrethe.

Për shkak të specifikës që ka kjo lloj lënde plasëse, policia pritet të nisë procesin e krahasimit të saj me mostra të sekuestruara në rastet e shpërthimeve, ku shpesh nuk kanë munguar viktimat e që deri tani janë klasifikuar si ngjarje të pazbardhura.

Disa mostra të lëndës plasëse tashmë i janë dërguar për ekspertim policisë shkencore, e cila do të bëjë edhe krahasimin me mbetjet e gjetura në shpërthimet që janë arkivuar tashmë nga policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat