Kush është nusja që hargjoi 1 milion lekë me dashnorin

Kronikë e zezë

Kush është nusja që hargjoi 1 milion lekë me dashnorin

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 20:20

Zbulohet vjedhja e 10 milionë lekëve në një banesë në Sarandë, të cilat i kishte marrë nusja e shtëpisë për t’ia dhënë dashnorit.

Vjedhja e parave u denoncua rreth tri vite më parë nga një banor i lagjes Nr.4 të Sarandës. Sipas Policisë, ka qenë pikërisht nusja, Lorena Arapi, 24 vjeçe, që në bashkëpunim me dashnorin e saj nga Berati kanë vjedhur 10 milionë lekë në banesën e vjehrrit të saj, Skënder Arapi. “Ngjarja ka ndodhur më 9 nëntor të vitit 2012, kur në banesë është konstatuar vjedhja e shumës së parave. Denoncimi është bërë që atë ditë nga Skënder Arapi, kryefamiljari, por ngjarja kishte mbetur e pazbardhur”, bënë të ditur burime të Policisë.

ZBULIMI I VJEDHJES

Shkak për zbulimin e vjedhjes së parave tri vite më parë është bërë një lëvizje e dyshimtë e nuses së shtëpisë. Pasi kanë rënë të gjithë për të fjetur, vjehrri e vjehrra, i shoqi Iliri dhe dy vajzat e vogla të saj, 24- vjeçarja Lorena Arapi ka marrë një thirrje në telefon.

Ajo ka dalë menjëherë nga banesa me “mikun” e saj të ri 24-vjeçar nga Fieri. Rreth një orë më vonë, foshnja e saj nisi të qajë, duke zgjuar të gjithë familjen, por familjarët janë befasuar kur kanë parë që nëna e vajzës që qante nuk ndodhej në banesë. Bashkëshorti bashkë me dy prindërit e tij e pritën për gjithë natën nusen, por ajo është kthyer në banesë vetëm rreth orës 05:00.

Pyetjes së vjehrrit dhe bashkëshortit se ku kishte qenë deri në këtë orë, ajo me qetësi është përgjigjur se: “isha te shtëpia e vjetër”. Por kjo ngjarje i ka vënë familjarët në dyshime për ndonjë lidhje jashtëmartesore të nuses së shtëpisë. Më pas ka lindur dyshimi tjetër, ajo e vjedhjes në banesë vite më parë të 10 milionë lekëve të vjetër, por edhe zhdukjen herë pas here të sasive të tjera parash.

Bashkëshorti i saj, Ilir Arapi, tepër i tronditur, në atë orë ka dalë nga shtëpia dhe rrugës për në polici është takuar me një efektiv, të cilit i ka rrëfyer se çfarë i kishte ndodhur. Policia ka shoqëruar në mjediset e komisariatit 24-vjeçaren, Lorena Arapi, e cila ka pranuar vjedhjen e parave në banesën e të shoqit.

DESHMIA E NUSES

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Lorena Arapi ka thënë se të shtunën ishte larguar me të dashurin e saj nga Fieri dhe kishte qenë pikërisht ky i fundit që e kishte sjellë deri në banesë rreth orës 05:00. E pyetur në lidhje me vjedhjen, 24-vjeçarja nga Lapardhaja e Beratit, por që prej 6 vitesh e martuar te familja Arapi në Sarandë, është shprehur se ka qenë ajo që në vitin 2012 kishte vjedhur 10 milionë lekë të vjetër në shtëpi.

Për këtë, ajo kishte bashkëpunuar me një të dashur tjetër që ka pasur në atë kohë, i identifikuar prej saj si Adiol Çifliku, 28-vjeç, banor në Berat. Bashkë me të ajo ka organizuar vjedhjen e 10 milionë lekë të vjetër, të cilat i ka prishur në kohë të ndryshme gjatë takimeve të tyre ilegale, për shkak se ai nuk kishte mundësi ekonomike. Përpos kësaj, Lorena Arapi ka treguar se ka marrë dhe herë të tjera shuma 1000 apo 2000 euro nga banesa, të cilat i ka prishur sërish me Çiflikun.

DESHMIA E ISH- TE DASHURIT

Në këto kushte, Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim ish-të dashurin e 24- vjeçares, shtetasin Adiol Çifliku. Pas një komunikimi me homologët e Beratit, këta të fundit e kanë kapur në një kohë të shpejtë të riun, i cili tashmë kishte krijuar një jetë të re duke u martuar, madje ishte bërë edhe baba i një fëmije.

Ai është sjellë në Sarandë në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku i është komunikuar akuza e “vjedhjes në bashkëpunim”. Çifliku mësohet të ketë mohuar akuzën duke u mbrojtur me faktin se vjedhja është kryer nga Lorena dhe se ai nuk ka gisht fare.

“Ajo me thoshte herë pas here të shkoja në Sarandë. Unë nuk kishte mundësi ekonomike, por ajo këmbëngulte të shkoja duke më thënë ‘hajde se shpenzimet t’i heq unë’”, mësohet të jetë shprehur 28-vjeçari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat