Tragjedi në Dibër, masivi i dheut në galeri mbyt dy kushërinjtë

Kronikë e zezë

Tragjedi në Dibër, masivi i dheut në galeri mbyt dy kushërinjtë

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 07:57

Tronditet fshati i vogël i Kacnisë në Selishtën e largët të Dibrës, ku më parë mbërrin helikopteri nga Tirana, se sa ambulanca nga qendra e më e afërt shëndetësore me vendin e ngjarjes. Galeria e vdekjes ka përpirë nën masivët e gurëve jetët e dy banorëve të Kacnisë, kushërinj me njëri-tjetrin, të cilët kishin vendosur të gërryenin në atë galeri për të bërë të mundur sigurimin e jetesës për familjet e tyre. Miftar Losha, 55 vjeç dhe Albert Loshaj, 33 vjeç, janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e galerisë, ndërsa banorët e zonës që kanë luftuar për t`i shpëtuar, kanë lajmëruar autoritetet në Peshkopi, ku edhe është kërkuar ndihma e një helikopteri nga Tirana.

Ndonëse dy kushërinjtë janë nisur në drejtim të Tiranës, mësohet se ata kanë qenë të pajetë. Ngjarja, sipas të dhënave nga Dibra, është mësuar rreth orës 15.00 të ditës së djeshmes, ndërsa nga informacionet e banorëve të zonës së Selishtës mësohet se shembja mund të ketë ndodhur rreth një orë para se të nxirreshin trupat. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur mjetet e policisë dhe forca të shumta të rendit, që në bashkëpunim edhe me banorët e shumtë, janë bashkuar te galeria e fatkeqësisë dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e dy kushërinjve Losha.

Ngjarja

Gjithçka është mësuar nga një bari i zonës, i cili ka qenë i vetëm në afërsi të vendit të ngjarjes. Ai ka dëgjuar zhurmën e fuqishme që i ka ardhur nga njëra prej galerive dhe më pas ka ftuar bashkëfshatarët e tij, të cilët kanë qenë duke kositur në livadhe, pak larg me vendin e ngjarjes. Meqë zona është e pambuluar mirë me valë telefonike, banorët janë vonuar në lajmërimin e policisë, ndërsa të vetëm e kanë pasur të pamundur të çajnë masivin që ishte shembur dhe kishte zënë poshtë dy personat.

Referuar të dhënave nga Selishta e largët bëhet me dije se dy kushërinjtë punonin shpesh me nxjerrjen e mineralit nga ajo galeri, edhe pse gjithnjë punonin pa asnjë lloj kushti teknik. Fakti që dy burrat kanë dalë ditën e djeshme për të punuar, në një ditë pushimi, banorët e zonës hedhin dyshime që njëri nga administratorët të jetë edhe personi që i ka shtyrë të punojnë, pasi materialet që nxirren nga ajo galeri, grumbullohen me urdhrin e dikujt orëve të natës dhe lëvizen prej aty.

Nga të dhënat e pakta policore që kanë shoqëruar ngjarjen e rëndë me dy të vdekur, saktësohet se policia orëve të vona të mbrëmjes së djeshme ka bërë të mundur shoqërimin e administratorëve të dy firmave që kanë licencën për “shfrytëzim” dhe “zbulim” në ato zona. Mirëpo, policia e Dibrës, në një reagim zyrtar, nuk ka bërë me dije asnjë lloj të dhënë tjetër në lidhje me aktivitetin e firmave dhe as të dy viktimave, ku për dy kushërinjtë mungon edhe përcaktimi i emërtimit; minator!

Pas ngjarjes

Një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë është nisur në drejtim të fshatit Kacni, një prej pikave më të largëta të Dibrës, me qëllimin për të mbajtur në jetë dy burrat që ishin nxjerrë nga masivi i dheut brenda galerisë. Dy minatorët, nga burime jozyrtare, thuhet se janë nxjerrë të pajetë nga galeria, por zyrtarisht saktësohet se kanë ndërruar jetë në helikopter teksa transportoheshin në drejtim të “Spitalit Ushtarak” në Tiranë. Nga burimet konfidenciale, bëhet me dije se Miftar Losha, është nxjerrë me shenja jete, por mungesa e ndihmës së shpejtë mund t’i ketë sjellë vdekjen, ndërsa bëhet me dije se i riu është nxjerrë i pajetë.

Sipas personave që kanë asistuar në nxjerrjen e trupave nga galeria, saktësohet se shembja kishte ndodhur rreth 100 metër në thellësi të galerisë, ndërsa dy burrat e fisit Losha, kanë qenë duke punuar pa asnjë lloj mjeti teknik që mund t`i mbronte. Policia, prokuroria dhe një grup inspektimi nga Tirana janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes, ku edhe pritet që në ditët në vijim të hedhin dritë mbi shfrytëzimin e nëntokës që po merr jetë punonjësish, të cilët e kanë mënyrën e vetme të të ushqyerit të familjes së tyre.

Policia: Shoqëruam dy administratorët

Disa orë pas aksidentit tragjik ku një masiv dheu që u shemb brenda në galeri iu mori jetën dy personave ka reaguar edhe policia e Dibrës në një komunikatë zyrtare në të cilën sqaron: “Më datë 30.08.2015 ora 15:00 në fshatin Kacni, Selishtë, në dalje të një galerie kanë qenë duke shpuar disa vrima në sipërfaqen tokësore ku për pasojë është shkëputur një masiv shkëmbor dhe ka zënë sipër shtetasit : Albert Losha, 32 vjeç, Miftar Losha 55vjeç, të dy me banim në fshatin Kacni, Selishtë. Me ndihmën e banorëve të zonës dhe policisë është bërë e mundur nxjerrja e trupave dhe janë dërguar urgjentisht me helikopter për ndihmë në spitalin e traumës në Tiranë por gjatë rrugës si pasojë e plagëve të marra kanë ndërruar jetë. Këto galeri administrohen nga dy firma “PULA X” dhe “HOXHA SHPK” ku të dy administratorët po shoqërohen për në komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po vazhdon me kryerjen e veprimeve në vendngjarje”!

Administratori lokal: Zona pa rrugë vonoi ndihmën e parë

Për ngjarjen e rëndë, ku masivi i dheut iu mori jetën dy minatorëve në një fshat të thellë të Dibrës, kanë munguar reagimet nga institucionet e specializuara. I vetmi që ka marrë përsipër të hedhë dritë mbi gjithçka ka ndodhur në atë galeri, është zyrtari më i ri lokal, administratori Mirian Elezi, i cili ka bërë me dije se ato galeri janë pa asnjë lloj sigurie, ndërsa saktëson se dy viktimat kanë qenë duke punuar, ashtu siç ndoshta kanë punuar prej shumë kohësh pa asnjë lloj kushti sigurie. Personi që do të administrojë fshatin e bukur malor të Selishtës, në një rrëfim për “Shekullin”, i indinjuar tregon se, jo vetëm që zona është shumë larg, por edhe rruga është në kushte tejet të mjerueshme. Viktimat e galerisë ishin kushërinj të parë me njëritjetrin dhe mësohet se punonin prej shumë kohësh duke nxjerr mineral nëpër galeritë e Kacnisë, një prej zonave ku gjenden disa galeri dhe që askush nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për to, pasi sipas të dhënave mes dy të zotëve që kanë fituar të drejtën e shfrytëzimit, kanë lindur konflikte të shumta

Rrëfimi i administratorit z. Elezi, çfarë ka ndodhur në të vërtet në atë galeri, pasi largësia ka bërë të mundur të mos hidhet dritë si duhet mbi atë ngjarje?

Dy banorë të zonës së Kacnisë kanë humbur jetën tragjikisht nën një masiv dheu në galeri. Vërtetë që është një zonë e largët, por përveç faktit që është shumë larg, edhe rruga është mjaft e keqe. Më parë ka ardhur helikopteri nga Tirana se sa është bërë e mundur të çohet ndihma e parë nga Peshkopia apo ndonjë qendër tjetër shëndetësore. Është tentuar t’u jepet ndihma e parë, por fatkeqësisht kanë ndërruar jetë që të dy.

I njihnit viktimat?

Sigurisht që i njihja, ata dhe familjet tyre. Di që Miftari është diku rreth 55 vjeç dhe është baba i katër fëmijëve, ndërsa Alberti është 33 vjeç. Ata janë kushërinj njëri me tjetrin dhe me sa di unë, punonin gjithnjë nëpër galeri për të siguruar jetesën. Aty punohet pa asnjë lloj kushti teknik pasi shfrytëzohen nga administratorët e galerive, por mbi gjithçka ka ndodhur do të verifikohet dhe do të hetohen. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet dhe shpejt do të hidhet dritë mbi personat përgjegjës.

Galeritë atje, janë të licencuara? Për kë punojnë banorët e zonës në ato galeri?

Di që janë të palicencuara. Janë dy firma, por që nuk ushtrojnë aktivitet me sa di, pasi kanë pasur konflikt me njëri-tjetrin. Firmat nuk sigurojnë asnjë lloj kushti për punonjësit ndërsa aktivitetin, me sa informacion kam unë, e aktualisht e ushtrojnë në mënyrë ilegale. Nuk jam i sigurt nëse dy viktimat kanë punuar gjithnjë në të njëjtën mënyrë, por di që materiali që nxirret, ndonëse ilegalisht, transportohet prej aty prej njërës firmë, ndonëse nuk jam i sigurt se cila firmë e kishte në shfrytëzim atë galeri. Di që flitet për një Ismail Hoxha që është administrator i njërës, ndërsa firma tjetër që operon në ato zona, është ‘Pula-X’.

Ekspertë drejt Dibrës për të verifikuar tragjedinë

Pas lajmit se në një galeri të Selishtës në Dibër kanë humbur jetën dy persona, Ministria e Energjitikës, nëpërmjet drejtorisë së posaçme të minierave, ka nisur në drejtim të vendit të ngjarjes një grup ekspertësh për të hedhur dritë mbi anën teknike dhe aktivitetin e dy firmave që janë të licencuara për atë zonë. Nga të dhënat që vijnë nga ky dikaster bëhet me dije se ato galeri në fakt janë nën shfrytëzimin e firmës “Hoxha shpk”, firmë që sipas të njëjtave të dhëna, ka ndërprerë aktivitetin në atë zonë. Nga burimet e “Shekulli-t”, mësohet se kjo firmë nuk e ushtron aktivitetin e saj prej shumë kohësh në atë territor, për shkak të konflikteve që ka patur me banorët e zonës. Kështu që nuk dihet nëse dy viktimat e djeshme kanë qenë të punësuarit e kësaj firme, me administrator Ismail Hoxhën.

Nga verifikimet saktësohet se “Hoxha shpk” është licencuar për të shfrytëzuar krom që prej vitit 2001, ndërkohë që firma tjetër, që është përmendur ditën e djeshme, si e dyshuar që shfrytëzon ato galeri, “Pula-X” ka marrë lejen rreth 10 vite më vonë. Kështu do të jenë ekspertët e verifikimit në terren dhe në dokumentacion të dy firmave që do të paraqesin edhe një rezyme të plotë të të gjitha shkaqeve që sollën tragjedinë e radhës, ku humbën jetën dy burra, njëri baba i katër fëmijëve dhe tjetri i dy fëmijëve. Dy administratorët e dy firmave të dyshuara që shfrytëzojnë zonën janë shoqëruar mbrëmjen e djeshme për në polici ku edhe kanë dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me aktivitetin që ushtrojnë në ato zona. Nga të dhënat e para mësohet se dy administratorët kanë mohuar të jenë në aktivitet në atë zonë, fakt ky që do të bëjë që edhe kjo tragjedi të lihet në letra, ndërsa përgjegjësinë për shfrytëzimin e minatorëve deri në vdekjen e tyre ta marrë pakujdesia e vetë viktimave!

Galeritë dhe kromi, armët vrasëse të shqiptarëve

Prej vitesh nxjerrja e mineralit në vendin tonë është shoqëruar me dy lloje betejash; njëra që ka të bëjë me grupet kriminale të kromit, të cilat kanë shënuar me dhjetëra viktima dhe beteja e mbijetesës dhe e shfrytëzimit ç`njerëzor i minatorëve të pasiguruar, ku numri i atyre që kanë humbur jetën poshtë masivëve të galerive është edhe më i lartë se ai i plumbave të baronëve të kromit. Rasti i djeshëm, tregoi edhe njëherë se sa të pambrojtur janë kategoria e minatorëve të cilët punojnë pa asnjë lloj kushti e madje edhe në galeri, firma e të cilës zyrtarisht ka bërë me dije se ka ndërprerë aktivitetin për shkak konfliktesh! Minatorët, për të cilët, në fakt askush nuk thotë se ishin minatorë, humbën jetën teksa gërmonin pikërisht në njërën prej galerive që kishte zot prej shumë e shumë vitesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat