Gjendet pas dy ditësh trupi i një të riu, pasi u zhduk me motorin e tij

Kronikë e zezë

Gjendet pas dy ditësh trupi i një të riu, pasi u zhduk me motorin e tij

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 10:36

Ishin 48 orë të rënda për familjen Jonusllari në Pogradec, pasi djali i tyre 28 vjeçar Ervini, u zhduk në rrethana të paqarta dhe vetëm para pak minutash këtë të diel, u gjet i pajetë. Ervin Jonusllari u gjet pranë një servisi makinash në një rrugë dytësore në Qafë Plloçë-Stropskë, pranë një kanali.

Pranë trupit të të ndjerit u gjet edhe motori i tij. Burime zyrtare nga policia lokale thanë për noa.al se në vendngjarje kanë shkuar forca policore pasi u njoftuan mbi gjetjen e të ndjerit, nga një servis makinash aty pranë. Paraprakisht dyshohet se i riu ka humbur jetën për shkak të një aksidenti rrugor në të cilin ai është përfshirë.

Dyshimet janë se Ervini, në gjendje të dehur ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga me motorin e tij duke gjetur vdekjen. I riu, baba i një vajze të vogël, mbrëmjen e 28 gushtit (e premte), kishte dalë me disa shokë dhe kishin qëndruar në një lokal deri vonë. Rreth orës 04.00 të mëngjesit të së shtunës 29 gusht, ata ishin ndarë, por Ervini ishte larguar i vetëm edhe pse ishte i dehur nga konsumi i madh i pijeve alkoolike.

Familja u shqetësua që djali nuk u kthye në shtëpi dhe kërkoi ndihmën e policisë e cila e shpalli në kërkim. Rreth 30 orë pas zhdukjes, trupi i të riut u gjet jo larg vendbanimit të tij, Çërravë e rrethit Pogradec. E paqartë është pse trupi u gjet kaq vonë pas zhdukjes së të riut. Zona ku u gjet i riu që sipas policisë ka pësuar aksident, është e rrahur nga mjetet dhe kalimtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat