Kamarjerja 17 vjeçare merr urdhër-mbrojtje: Po më dhunon nëna

Kronikë e zezë

Kamarjerja 17 vjeçare merr urdhër-mbrojtje: Po më dhunon nëna

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 08:10

Një 17-vjeçare ka marrë urdhër-mbrojtjeje nga Gjykata e Sarandës, pasi dhunohej nga nëna e saj. Burime nga policia lokale bënë me dje se adoleshentja me iniciale F.F., është paraqitur pasditen e së premtes në komisariatin e këtij qyteti, ndërsa ka denoncuar të ëmën e saj, 40-vjeçaren me iniciale Y.S., pasi sipas saj, kjo e fundit ushtronte prej kohësh dhunë fizike dhe psiko-logjike. Gjatë dëshmisë së saj para grupit hetimor të çështjes, 17-vjeçarja e cila punon kameriere në një nga baret e qytetit bregdetar, është shprehur se nëna e dhunonte për shkak se ajo kthehej orar pa orar në banesë dhe se nuk sillte para mjaftueshëm për të përballuar jetesën.


Nga ana tjetër, vajza ka deklaruar se mamaja e saj nuk ishte dakord për punën që e bija bënte në lokalin ku ajo punonte si kameriere, pasi e quante atë një vend të rëndomtë. Ajo ka shtuar më tej se nuk ka qenë hera e parë që kishte debate me nënën, sherre të cilat kanë degjeneruar deri në ushtrim dhune nga ana e 40-vjeçares.


DENONCIMI

Nëne e bijë me origjinë nga Berati, banojnë të vetme në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës, që pas ndarjes së 40-vjecares Y.S., me bashkëshortin, njëkohësisht prind i vajzës. Pasi ka marrë dëshminë e së miturës, rreth orës 22:00 të së premtes, policia e Sarandës ka plotësuar menjëherë kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes nga gjykata e rrethit, ndërkohë që nënë e bijë do të përballen sërish bashkë në seancën e së hënës për vërtetimin e urdhrit.


Ndonëse 17-vjeçarja ka kërkuar urdhër-mbrojtjeje, ajo ka shkruar sërish të jetojë në të njëjtën çati me nënën e saj. Sakaq, brenda 24 orëve të fundit, një tjetër kërkesë për lëshim urdhër-mbrojtjeje është kërkuar në policinë e Sarandës. Mësohet se një 38-vjeçare me inicialet E.L., nga ky qytet, mori ditën e djeshme urdhër-mbrojtjeje, pasi xhaxhai i saj me iniciale Sh.L., 62 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Burime nga blutë bënë me dije se shkak i konfliktit mes tyre ka qenë një çështje pronësie për një banesë. Sakaq, një tjetër rast i njohur ishte dhe ai i një çifti pushuesit francezo-italian, ku një 44-vjeçar dhunoi bashkëjetuesen e tij 36-vjeçare.


Ishte shtetësja italiane, ajo që u paraqit pranë komisariatit të Sarandës për të kërkuar urdhër-mbrojtjeje, ndërsa në seancën gjyqësore ajo e fali partnerin e saj. Çifti franko-italian u bë protagonist i një hetimi policor për dhunë e një vendimi për urdhër-mbrojtjeje nga gjykata, pas denoncimit të Karin Denife Suzann se ishte dhunuar nga Giusepe Bruno Alvini për shkak se kishte shkuar në disko pa lejen e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat