Zhduken dy vajza, alarmohen familjet

Kronikë e zezë

Zhduken dy vajza, alarmohen familjet

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 22:29

Një vajzë 18-vjeçare ka humbur kontaktet me familjen e saj prej gjashtë ditësh. Ruze Spahiu nga Këlcyra ka dalë në qytet rreth orës 10:00 të paradites dhe nuk është kthyer më pranë familjes së saj. Mungesën e vajzës e ka raportuar babai i saj për “News 24”, i cili thotë se, nuk e di se çfarë ka ndodhur me vajzën e tij.

Ai ngre dyshimet se vajza e mund të jetë rrëmbyer, por nuk ka asnjë pistë që mund ta çojë policinë në këtë drejtim. 18-vjeçarja është e fejuar, por i fejuari i saj nuk ka qenë aspak në dijeni të kësaj situate, ndërsa shprehet se e ka mësuar nga prindërit e vajzës. Ndërkohë, një rast i ngjashëm është raportuar edhe nga Durrësi.

Një 17-vjeçare, nga qyteti i Durrësit, u martua me një 24-vjeçar po nga Durrësi, por tani është zhdukur pa lënë gjurmë. Bashkëshorti i saj, E.A., bëri të enjten denoncimin në polici, ku deklaroi se gruaja e tij, K.S., ishte larguar nga banesa ditën e mërkurë (26 gusht) dhe nuk është kthyer më.

I riu është interesuar te prindërit e gruas, por ajo nuk ndodhej as aty. I shqetësuar, por edhe i habitur nga zhdukja e papritur e të resë, 24-vjeçari ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e saj. Ai ka thënë para uniformave blu se e shoqja është zhdukur pa lënë asnjë letër apo sqarim, ndërsa ka shtuar se marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të mira dhe se nuk kishin pasur konflikt. Çifti kishte vetëm një vit martuar, përmes ceremonive familjare, por jo ligjërisht, pasi e reja nuk kishte mbushur ende 18 vjeç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat