​Hajnat i hakmerren zyrtarëve pyjorë, i rrahin dhe ua thyejnë veturën

Kronikë e zezë

​Hajnat i hakmerren zyrtarëve pyjorë, i rrahin dhe ua thyejnë veturën

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 17:46

Dy inxhinier dhe një teknik të Agjencionit Pyjor të Kosovës në regjionin e Mitrovicës ishin nisur në terren për të mbikëqyrë punëtorët e tyre në vendin e quajtur “Duboqak”, hapësirë kjo prej 6.800 hektarë, e cila është në mbrojtje të shtetit. Por, rrugës për atje dy inxhinierët dhe tekniku ishin sulmuar.

Një grup prej tre personave me maska dhe të armatosur ua kishin zënë rrugën, duke i rrahur dhe duke ia thyer veturën.

Inxhinieri Bedri Behluli, thotë që sulmuesit u kanë dalë para veturës dhe kanë nisur të sulmojnë menjëherë.

Ai rrëfen për momentet kur para tyre kanë dalë personat që në dorë mbanin një kallashnikov dhe dy stupca.

“Rasti ka ndodhur në orar të punës rreth orës 11:15 sot. Na kemi qenë duke shkuar në terren dhe kemi dalë me i vizitu punëtorët që janë në Duboqak. Në hyrje të asaj njësie kanë dalë tre persona njëri me kallash dhe dy me stupca. Kanë qenë të maskuar. Na kanë sulmuar menjëherë pa fol asnjë gjë. E kanë thyer edhe veturën me të cilën udhëtonim”, rrëfehet Behluli për KosovaPress.

Zyrtarët e dinë se kush janë sulmuesit dhe deri më tani ata i kanë paraqitur në Polici. Përderisa vetë kan ë kërkuar edhe ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre, sipas Behlulit është e mirë dhe qysh nesër do të vazhdojnë punën në terren.

Por rasti qysh edhe e shpjegojnë këta zyrtarë ka origjinën qysh para një muaji. Personave që kanë sulmuar zyrtarët e Agjencionit të Pyjeve, u është konfiskuar një masë drunore dhe një traktor.

Këtë e konfirmon për KosovaPress, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Pyjeve AhmetZejnullahu.

“Para një muajiështë bërë një konfiskim i masës drunore edhe i automjetit (traktor) qëështë përdorur për bartjen e drurëve, i cili për momentin është konfiskuar deri në procedurë gjyqësore dhe gjendet në stacionin policor në Skenderaj. Ai që i ka sulmuar është identifikuar si personi i njëjti që i është konfiskuar traktori edhe masa drunore”, ka thënë për KosovaPress.

Në vendin ku janë sulmuar zyrtarët e këtij Agjencioni, ‘Duboqak’ janë duke punuar rreth 10 0 punëtorë. Ky vend i cili përdoret për gjueti janë duke u zhvilluar aktivitete në përmirësimin e strukturave të pyjeve.

‘Duboqak’, shtrihet në territorin e komunave Skenderaj, Mitrovicë dhe Zubin Potok, dhe është një prej 4 vendeve të tilla në Kosovë të cilat janë shpall me interes të veçantë për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat