Gjobë 8,7 mln lekë biznesmenit pas seksit, zbardhen përgjimet e çiftit

Kronikë e zezë

Gjobë 8,7 mln lekë biznesmenit pas seksit, zbardhen përgjimet e çiftit

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 16:16

Zbardhen përgjimet e dy bashkëshortëve që i zhvatën 8.7 milionë lekë të rinj një biznesmeni nga Tirana, të cilin e joshën me seks dhe më pas e shantazhuan me publikimin e raportit intim.

Plani “djallëzor” është përgatitur nga bashkëshortët Niko (Ardian) dhe Elinela Smaqi. Sipas Gjykatës për Krimet e Rënda, nën udhëzimet e të pandehurit Niko (Ardian), e pandehura Elinela ka krijuar një raport intim me biznesmenin.

Më tej, duke pretenduar se i dëmtuari e kishte turpëruar, i pandehuri Niko i ka kërkuar atij shuma të ndryshme parash si shpërblim për të mos u treguar familjarëve të tij.

Bisedat telefonike dhe ambientale, ku i pandehuri kërcënon dhe shantazhon biznesmenin, zbardhen në vendimin e arsyetuar të Gjykatës për Krimet e Rënda ndaj bashkëshortëve, një kopje e të cilit është siguruar nga “Panorama”.

Niko (Ardian) dhe Elinela Smaqi janë dënuar përkatësisht me 2 vjet e 8 muaj dhe 2 vjet burg për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, vendim që ka marrë formë të prerë te Krimet e Rënda.

HISTORIA

Nga vlerësimi i Gjykatës për Krimet e Rënda ka rezultuar se bashkëshortët Niko dhe Elinela Smaqi, prindër të dy fëmijëve, janë njohur në vitin 2010 me të dëmtuarin B.S. Pas dytre takimeve në marrëveshje me bashkëshortin e saj, e pandehura Elinela e ka joshur seksualisht të dëmtuarin, duke konsumuar dhe raporte intime mes tyre.

“I pandehuri Niko Smaqi, që ka qenë organizatori i këtij plani dhe ka qenë në dijeni të të gjitha zhvillimeve të tij, e ka kërcënuar në drejtim të jetës të dëmtuarin B.S., pas këtyre takimeve të tij me të pandehurën Elinela, duke pretenduar se me këtë marrëdhënie ai e kishte turpëruar atë dhe për këtë shkak ai do t’ia tregonte këtë bashkëshortes dhe fëmijëve të B.S.”, shprehej gjykata. Në periudhën 2010­2012, për të shmangur këtë fakt, i dëmtuari u ka dhënë shuma të ndryshme parash të pandehurve, plot 87 milionë lekë të vjetër në total.

Këtë sasi parash i dëmtuari e ka siguruar nga kursimet e punës së tij, familjes dhe nga borxhet e marra te shtetas të ndryshëm. Dy vitet në vijim ai nuk ka pasur kontakt me ta, por në maj të vitit 2014, ata janë rishfaqur dhe i kanë kërkuar edhe 17 milionë lekë të rinj.

Gjatë kohës që shantazhonte të dëmtuarin B.S., i pandehuri Niko ishte në qeli për vuajtjen e një tjetër dënimi. Ai përdorte ditët e lejeve të zakonshme për të takuar biznesmenin dhe për ta shantazhuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat