Rrahu djalin, sepse i kërkoi para për të luajtur futboll

Kronikë e zezë

Rrahu djalin, sepse i kërkoi para për të luajtur futboll

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 10:25

Një rast dhune është shënuar dje në kryeqytetin shqiptarë, ku babai ka keqtrajtuar djalin e tij, ndërsa ky i fundit është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur në Kamëz, teksa kryefamiljari Hajri Guzja, ka rrahur barbarisht të miturin, vetëm 15 vjeç. Po kështu dhunës nuk i kanë shpëtuar as gruaja e tij, e cili njoftoi menjëherë policinë.

Kanë qenë efektivët e policisë së komisariatit nr.5 në Tiranë, ata të cilët bënë edhe prangosjen e 51-vjeçarit në flagrancë. Në momentin e arrestimit, Guzja ka goditur edhe dy policët, teksa po e prangosnin, duke e rënduar edhe më shumë pozitën e tij në këtë histori. Arsyeja e dhunës, sipas policisë, krijohej nga kushtet e vështira ekonomike në të cilën ndodhet familja Guzja, e përbërë nga 5 anëtarë. 51-vjeçrari ishte i papunë dhe sipas familjarëve të tij, abuzonte edhe me pijet alkoolike.

Konflikti në familje ka nisur fillimisht ndërmjet 2 bashkëshortëve, ku gruaja e tij i kërkonte llogari 51-vjeçarit, për situatën e vështirë ekonomike që po kalonin, ndërsa ky i fundit ishte në gjendje të dehur. Hajri Guzja i kishte kërkuar djalit të vogël që në muajt e verës të punonte si kamerier në një nga lokalet e zonës dhe të kontribuonte, sado pak në mirëqenien e familjes. Nga ana tjetër, 15-vjeçari, H.Guzja, kërkonte para për t’u trajnuar në një ekip futbolli dhe kjo e ka acaruar situatën brenda familjes, duke bërë që i mituri të rrihet barbarisht nga babai tij.

Dhuna e ushtruar nga 51-vjeçari në drejtim të djalit, ka bërë që adoleshenti të kalojë një gjendje të rëndë dhe të dërgohet me urgjencë në Spitalin e Traumës për ndihmën e parë mjekësore. Familja, me origjinë nga Dibra, kishte ardhur pak vite më parë në kryeqytet dhe jeton në një zonë periferike pranë autostradës, Tiranë-Durrës dhe më konkretisht në Valiasin e Ri.

Djali kishte shprehur më herët dëshirën e tij familjes për t’u bërë futbollist, ndërsa mori si shpërblim dhunën e egër të babait. M.Guzja, gruaja e 51-vjeçarit, është shprehur në polici se edhe ajo ka qenë pjesë e dhunës, e cila donte të shpëtonte djalin nga agresionit i Hajriut. “Ai po e qëllonte me sa fuqi kishte djalin dhe në ato momente atij i ra të fikët. I hodha ujë për ta përmendur dhe më pas lajmërova policinë dhe ambulancën. Po kështu, dhunës nuk i shpëtuam as unë dhe vajza ime, ku Hajriu filloi të na godiste edhe neve”, theksoi 43-vjeçarja në komisariatin e policisë.

Pas telefonatës së bërë në sallën operative të policisë në numrin 129, drejt banesës së 51-vjeçarit është nisur një patrullë nga komisariatit nr.5. Pjesës së dhunës në familjen Guzja nuk i kanë shpëtuar as dy efektivët e policisë, të cilët ndërhynë për të neutralizuar kryefamiljarin. Ato morën dëmtime të lehta në trup në momentin që po bënin prangosjen e tij. Në këto kushte, rëndohen pozitat për babain e tre fëmijëve, i cli nuk do të gjykohet vetëm për dhunë në familje por edhe për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe goditje për shkak të detyrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat