Zbulohet një rrjet ilegal i prodhimit dhe shitjes së duhanit

Kronikë e zezë

Zbulohet një rrjet ilegal i prodhimit dhe shitjes së duhanit

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 20:38

Disa linja prodhimi duhani dhe paketimi të cigareve, të cilët vepronin ilegalisht në periferi të qytetit të Shkodrës, u bllokuan në një aksion të përbashkët mes Drejtorisë së Tatimeve, Doganave dhe “Croën Agents”.

Rreth 1.7 tonë duhan në 9 makineri grirëse u sekuestruan në tetë pika të prodhimit të duhanit. Gjithashtu u gjetën 43 mijë paketa të përgatitura, por edhe duhan i grirë në sasi të mëdha, të cilët më pas do të hidheshin ilegalisht në treg.

Drejtuesit e Tatimeve dhe të hetimit tatimor dyshojnë se bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar që përfshin edhe organizata kriminale në Maqedoni dhe Malin e Zi. Dyshimet lindën pasi gjatë kontrollit u gjetën cigare me etiketa të shkruara maqedonisht, me shumë gjasa të porositura për tregun e vendit fqinj.

Këtë e konfirmoi edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Zamir Shtylla, i cili tha se dyshohet për një grup të strukturuar kriminal.

“Në bashkëpunim me Tatimet dhe Krimin Ekonomik dhe Policisë së Shtetit, strukturat e Doganës kanë sekuestruar 8 makineri grirëse, të cilët në mënyrë të jashtë ligjshme grumbullojnë dhe shesin duhan. Ndërkohë është sekuestruar edhe një linjë e prodhimit dhe paketimit të duhanit. Janë sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme paketash me marka të ndryshme”.

Shifrat e evazionit fiskal, të shkaktuara nga këto linja prodhimi ilegale në Shkodër, janë shumë të mëdha, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ende po vijon aksionin për bllokimin e pikave të tjera. Ndërkohë që i bëhet thirrje fermerëve prodhues të duhanit të legalizojnë aktivitetin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat